Rebelët Houthi sulmuan sot aeroportin ndërkombëtar të Adenit me raketa balistike dhe dronë të ngarkuar me eksplozivë, njoftoi Ministria e Transportit e Jemenit, ndërsa luftimet mes grupit të lidhur me Iranin dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite janë intensifikuar, sipas Reuters.
Luftimet janë përqendruar ditët e fundit në zonat përreth ngushticës Bab el-Mandeb, një rrugë detare strategjike që është bërë edhe më e rëndësishme për eksportet e energjisë, pasi konflikti SHBA-Iran ka kufizuar tregtinë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Këtë javë, forcat qeveritare jemenase, me mbështetjen ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, nisën një kundërofensivë për të rimarrë territoret strategjike pranë ngushticës dhe rreth qytetit Mocha.
Konflikti, i cili është përhapje e luftës më të gjerë SHBA-Iran, ka ringjallur luftën 12-vjeçare në Jemen, duke rikthyer një prej krizave më të rënda humanitare në botë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, numri i personave të zhvendosur që nga fillimi i raundit të fundit të luftimeve ka kaluar 200 000.
“Njerëzit po ikin për të shpëtuar jetën dhe nuk po gjejnë askund të sigurt për të shkuar”, tha drejtoresha e përgjithshme e IOM-së, Amy Pope, duke kërkuar më shumë fonde për ushqim dhe strehim.
Të dyja palët pretendojnë se qindra persona janë vrarë në luftime, ndërsa OKB-ja thotë se në disa pjesë të Jemenit tre në katër familje përballen me mungesë ushqimi.
Çdo përpjekje e rebelëve Huthi për të vendosur kontroll mbi ngushticën Bab el-Mandeb mund të kërcënojë transportin detar dhe rrjedhat globale të naftës.
Në frontin perëndimor, luftimet janë përqendruar në distriktin Dhubab, ku forcat proqeveritare po përpiqen të avancojnë drejt kodrave strategjike në lindje të zonës bregdetare.
”Një raketë ra pranë pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Adenit, vetëm pak minuta përpara se një avion nga Kajroja të ulej”, njoftoi Ministria e Transportit.
Autoritetet anuluan uljen dhe e devijuan avionin drejt Xhedës, ndërsa dy avionë të tjerë që ndodheshin në pistë u zhvendosën nga zona për shkak të frikës për sulme të tjera.
Houthët, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të veriut të Jemenit, morën kontrollin e kryeqytetit Sana në vitin 2014, duke nxitur ndërhyrjen e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2022 kryesisht ndali luftimet e rënda, por nuk solli një marrëveshje të qëndrueshme politike.
Ndërkohë, koalicioni saudit tha se kishte kapur dhe shkatërruar një raketë balistike të Houthëve të lëshuar drejt qytetit Khamis Mushait.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha se grupi kishte sulmuar gjithashtu Aeroportin Ndërkombëtar Abha dhe një bazë ajrore në Khamis Mushait me raketa balistike dhe dronë.
Autoritetet saudite nuk e konfirmuan menjëherë sulmin ndaj aeroportit./Mxh
