Nuk ishte një “kolaps ekologjik” që ndërpreu jetën në Ishullin e Pashkëve, por një thatësirë shumë e gjatë që filloi rreth vitit 1550.
Moai janë koka të mëdha monolitike që gjenden përgjatë brigjeve të Ishullit të Pashkëve.
Për shekuj me radhë, Rapa Nui – ishulli i largët i Pashkëve në zemër të Oqeanit Paqësor – ka qenë i mbështjellë me mister: çfarë i ndodhi vërtet shoqërisë që ndërtoi Moait e famshëm, statujat monumentale prej guri të shpërndara nëpër brigjet e tij?
Një studim i ri, botuar në Communications Earth & Environment nga një ekip i Observatorit të Tokës “Lamont-Doherty” të Universitetit të Kolumbias, ofron tashmë provat më të qarta se nuk ishte një kolaps ekologjik ai që ndryshoi jetën në ishull, por një thatësirë shumë e gjatë që nisi rreth vitit 1550.
Mesazhi i fshehur në gjethe
Studiuesit, të udhëhequr nga gjeokimisti Redmond Stein, analizuan sedimentet e mbledhura nga dy prej burimeve të rralla të ujit të ëmbël në Rapa Nui: Rano Aroi, një ligatinë në lartësi të madhe, dhe Rano Kao, një liqen vullkanik që shikon mbi ishull nga një krater i lashtë.
Çelësi i zbulimit qëndron në një material të vogël, por tepër domethënës: dylli i gjetheve.
Kjo substancë, e cila vesh bimët dhe ruhet në sedimente për mijëvjeçarë, përmban izotope hidrogjeni – raporti midis formave “të lehta” dhe “të rënda” të të cilëve ndryshon në varësi të sasisë së reshjeve.
“Është si të lexosh një ditar klimatik të shkruar nga vetë bimët,” shpjegon Stein.
Rezultatet
Analizat krijuan një arkiv të vazhdueshëm me rreth 800 vjet histori të reshjeve.
Dhe zbulimi ishte befasues: reshjet filluan të bien ndjeshëm në shekullin e XVI dhe mbetën të pakta për më shumë se një shekull – me një ulje të vlerësuar prej 600 deri në 800 milimetra në vit, krahasuar me periudhat e mëparshme.
Përshtatshmëria e Rapanui-ve
Kjo periudhë e gjatë thatësire përkoi me transformime të thella në shoqërinë Rapanui. Pikërisht atëherë, ndërtimi i platformave të mëdha ceremoniale, ahu, ra ndjeshëm, ndërsa u shfaq një kult i ri fetar dhe politik: ai i Tangata Manu-t, “njeriut-zog”, në të cilin pushteti nuk fitohej më përmes prejardhjes fisnore, por përmes sprovave atletike dhe ritualeve vjetore të lidhura me liqenin Rano Kao.
Më shumë sesa një kolaps, pra, ishte një transformim kulturor.
“Studimi ynë tregon se banorët e Rapa Nui ishin jashtëzakonisht elastikë,” thekson Stein. “Ata arritën të rishpiknin strukturat e tyre shoqërore përballë stresit klimatik që zgjati brez pas brezi.”
Duke i dhënë fund mitit të ekocidit
Për dekada me radhë, historia e ishullit është treguar si një tragjedi ekologjike – një popullsi që shkatërroi pyjet e veta për të ngritur moai, duke e dënuar veten me vetëshkatërrim. Një metaforë e përsosur, madje tepër e përsosur, për lakminë njerëzore.
Por studimet e viteve të fundit e kanë përmbysur këtë version klasik. Analizat e reja të sedimenteve dhe mbetjeve arkeologjike tregojnë se nuk ka prova për një rënie të popullsisë përpara mbërritjes së evropianëve në shekullin XVIII.
“Shpyllëzimi ishte real,” pranon Stein, “por nuk ishte domosdoshmërisht sinonim i katastrofës. Ishte një përgjigje komplekse ndaj presioneve mjedisore, sociale dhe – siç e dimë tani – klimatike.”
Një laborator i klimës së Paqësorit
Vendndodhja e Rapa Nui-t, e izoluar më shumë se 3,000 kilometra nga Kili dhe 1,500 kilometra nga ishulli më i afërt i banuar, e bën atë një arkiv unik të klimës së Paqësorit Juglindor.
Ekipi i Stein po punon tashmë mbi një set të ri të dhënash që mbulon deri në 50,000 vjet histori klimatike, për të kuptuar se si erërat, reshjet dhe qarkullimi atmosferik i rajonit kanë reaguar ndaj ndryshimeve globale të së kaluarës.
Ky informacion, theksojnë shkencëtarët, mund të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e modeleve bashkëkohore të klimës.
Një mësim për qëndrueshmërinë
Sot, komunitetet në Rapa Nui dhe në ishuj të tjerë të Paqësorit gjenden sërish në vijën e parë të përballjes me ndryshimet klimatike.
“Nëse ka një mësim për t’u nxjerrë,” përfundon Stein, “është se njerëzit janë tepër elastikë. Por ne duhet t’i dëgjojmë zërat e tyre, sepse ata po përjetojnë sot atë që e gjithë bota mund të përballet nesër.”
Burimi: focus.it/ Nga: Luigi Bignami/ Përgatiti për botim: L. Veizi
