Tre piktura të realizuara nga Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse, të vjedhura nga një muze në Itali, janë gjetur pas disa muajsh hetime, njoftuan sot forcat e policisë italiane, Carabinieri.
Sipas një deklarate, efektivët e Carabinierëve sekuestruan veprat e çmuara gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të një hetimi të gjerë.
Autoritetet nuk dhanë fillimisht detaje të tjera për personat e dyshuar për vjedhjen apo vendndodhjen e tyre.
Veprat e rikuperuara janë “The Fish” e Renoir, “Cup and Plate with Cherries” e Cezanne dhe “Odalisque on the Terrace” e Matisse.
Vlera e tyre e përbashkët vlerësohet në rreth 9,0 milionë euro, ose afërsisht 10,4 milionë dollarë.
Pikturat u vodhën në fund të marsit nga muzeu Fondazione Magnani-Rocca, pranë Parmës.
Autorët hynë në ndërtesë gjatë natës dhe arritën t’i merrnin të treja veprat brenda vetëm pak minutash.
Pasi u aktivizua alarmi, hajdutët u larguan përmes kopshteve të muzeut.
Në atë kohë, një zëdhënës i institucionit e përshkroi vjedhjen si një operacion të planifikuar, të strukturuar dhe të organizuar.
Vjedhja u shfrytëzua më pas edhe për përhapjen e dezinformatave.
Sipas autoriteteve, një raport i rremë i paraqitur si lajm i BBC-së dhe i shpërndarë përmes një rrjeti të lidhur me Kremlinin pretendonte se piktura e vjedhur e Cézanne ishte ekspozuar në zyrën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se kishte ardhur nga mafia.
Rikuperimi i tre veprave konsiderohet një sukses i rëndësishëm për hetuesit italianë, ndërsa hetimet për të përcaktuar autorët dhe mënyrën se si veprat u transportuan dhe u fshehën pas vjedhjes vijojnë./mxh
