Robert Pattinson rikthehet në Gotham City si Batman, ndërsa xhirimet e filmit “The Batman Part II” kanë nisur. Megjithatë, të veshë sërish kostumin e heroit të famshëm nuk është aq e lehtë sa herën e parë, siç ka pranuar vetë aktori, bën të ditur Entertainment Weekly.
Në një intervistë, Pattinson foli për xhirimet e “The Batman Part II” në Londër, duke bërë të ditur se do të qëndrojë në kryeqytetin britanik deri në fund të vitit për vazhdimin e filmit.
“Po shkon mirë”, tha Pattinson, përpara se të fliste për një nga vështirësitë më të mëdha që po përjeton duke interpretuar sërish Bruce Wayne, pesë vjet pas filmit të parë.
“Patjetër që e ndiej moshën time kur ka shumë aksion dhe përleshje. Fjalë për fjalë mendoj: ‘O Zot, kjo është shumë më e vështirë nga sa ishte dikur’”, u shpreh aktori.
Megjithatë, Pattinson theksoi se në përgjithësi përvoja e xhirimeve është pozitive.
“Është vërtet argëtuese. Dhe mendoj se filmi do të jetë shumë i mirë. Ka një kast vërtet shumë interesant, por është një maratonë”, deklaroi ai.
“The Batman Part II” është planifikuar aktualisht të shfaqet në kinema më 18 shkurt 2028, pothuajse gjashtë vite pas filmit të parë “The Batman”, i cili u publikua në vitin 2022.
Regjisori Matt Reeves ka konfirmuar zyrtarisht se aktorët Sebastian Stan dhe Scarlett Johansson do t’i bashkohen kastit të vazhdimit. Ai ka bërë gjithashtu të ditur se në film do të shfaqen Charles Dance, Brian Tyree Henry dhe Sebastian Koch.
Pjesa më e madhe e kastit të filmit të parë “The Batman” do të rikthehet gjithashtu. Mes tyre janë Jeffrey Wright në rolin e Jim Gordon, Andy Serkis si Alfred Pennyworth, Colin Farrell në rolin e Oz Cobb, i njohur edhe si Penguin, Zoë Kravitz si Selina Kyle, si dhe Jayme Lawson në rolin e kryetares së bashkisë së Gotham-it, Bella Reál./MXH
