Në burgjet e Singaporit, ndërhyrja në një përleshje mund të mos nisë më me vrapimin e gardianëve drejt të burgosurve. Nga tetori, një robot 510 kilogramësh do të testohet për patrullimin e ambienteve të burgjeve dhe ndërhyrjen në raste konfliktesh.
Sipas The Straits Times, Shërbimi i Burgjeve i Singaporit do të nisë një provë tre mujore me robotin PROTECT, i zhvilluar së bashku me Home Team Science and Technology Agency (HTX). Pajisja është 157 centimetra e lartë dhe është krijuar posaçërisht për të rritur sigurinë e të burgosurve dhe punonjësve gjatë incidenteve.
Roboti do të patrullojë oborret e burgjeve në orare të ndryshme gjatë ditës. Në rast përleshjeje, ai do të japë fillimisht një paralajmërim për të burgosurit që të largohen. Nëse urdhri nuk respektohet, PROTECT mund të përdorë sprej piperi në një distancë deri në pesë metra, për rreth 20 sekonda.
Në të njëjtën kohë, roboti transmeton pamje dhe audio drejtpërdrejt te zyrtarët në qendrën e kontrollit. Kjo u jep gardianëve mundësinë të monitorojnë situatën dhe të ndërhyjnë më pas, ndërsa roboti shërben si reagimi i parë në terren.
Por pavarësisht përdorimit të inteligjencës artificiale, PROTECT nuk është ende një makinë plotësisht autonome. Shërbimi i Burgjeve të Singaporit sqaron se në fazën aktuale roboti nuk mund t’i zbulojë dhe t’u përgjigjet vetë incidenteve.
AI përdoret kryesisht për njohjen e njerëzve dhe për orientimin e robotit në hapësirë, duke e ndihmuar të shmangë pengesat. Gjatë demonstrimit të zhvilluar në Changi Prison Complex, pajisja u kontrollua nga distanca dhe simuloi ndërhyrjen në një përleshje.
Tre robotë do të vendosen në tre institucione të ndryshme gjatë periudhës së testimit. Sipas Channel NewsAsia, qëllimi është që teknologjia të ndihmojë në reagimin më të shpejtë dhe më të sigurt ndaj incidenteve, duke ulur rrezikun për personelin e burgjeve.
Nisma vjen në një kohë kur numri i sulmeve në burgjet e Singaporit është rritur. Sipas të dhënave të Shërbimit të Burgjeve, shkalla e sulmeve u rrit nga 54.4 për çdo 10 mijë të burgosur në vitin 2024, në 76.7 në vitin 2025.
Roboti PROTECT është pjesë e një strategjie më të gjerë të Singaporit për përdorimin e robotikës dhe automatizimit në sistemin e burgjeve. HTX po zhvillon gjithashtu sisteme të tjera autonome që synojnë të reduktojnë ngarkesën e punonjësve dhe t’i lejojnë ata të përqendrohen te detyrat që kërkojnë ndërhyrje njerëzore.
Për momentin, autoritetet theksojnë se njerëzit mbeten në qendër të vendimmarrjes. Roboti është krijuar për të mbërritur shpejt në një situatë të rrezikshme, për të monitoruar atë që po ndodh dhe për të krijuar kohë për ndërhyrjen e personelit, jo për ta zëvendësuar plotësisht atë./ad
