Pas një pauze të gjatë larg ekranit të Top Channel, ku përfshihen edhe pjesëmarrjet e tyre në formatin “Big Brother VIP”, Romeo dhe Donald Veshaj janë rikthyer sërish në vëmendjen e publikut, këtë herë me një projekt tërësisht të pavarur.
Dy vëllezërit kanë prezantuar platformën e tyre të re mediatike online, të quajtur “X-Media”, e cila synon të sjellë përmbajtje të ndryshme dhe rubrika të shumta. Në qendër të këtij projekti qëndron emisioni i tyre i përjavshëm “Më lër të mbaroj”, i cili do të transmetohet çdo të shtunë dhe shënon rikthimin e tyre në rolin e moderatorëve.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe në puntatën e parë nuk e mori vetëm nisja e projektit, por edhe një bisedë e shkurtër mes tyre, e cila u interpretua gjerësisht nga publiku si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj eksperiencave të mëparshme televizive.
Gjatë një shkëmbimi batutash për këtë hap të ri në karrierë, Donaldi u shpreh: “Këtu nuk na censuron askush, Romeo.” Ndërsa Romeo iu përgjigj duke e mbështetur: “E vërtetë.”
Më pas Donaldi shtoi me një ton simbolik: “Jemi vetë përgjegjës për gjithçka, vetë Zot, vetë shkop. Urime për këtë fillim të ri, e kisha pritur prej kohësh këtë moment.”
Këto deklarata u perceptuan nga ndjekësit si një mesazh i nënkuptuar për më shumë liri krijuese dhe për distancim nga kufizimet që ata mendojnë se kanë pasur në projekte të mëparshme.
Me këtë hap të ri, dyshja duket se po synon të ndërtojë një rrugëtim të pavarur në median online, duke e nisur me një deklaratë të qartë për identitetin dhe drejtimin e tyre të ri./mxh
