Autoritetet në Nigeri kanë njoftuar lirimin e rreth 100 fëmijëve që u rrëmbyen muajin e kaluar nga një shkollë katolike në Papiri, qendra e Nigerit.
Kryepolici i shtetit Niger, Adamu Abdullahi Elleman, dhe Ipeshkvi Bulus Dauwa Yohanna, drejtuesi lokal i komunitetit katolik dhe i shkollës, konfirmuan lajmin për mediat, duke thënë se lajmi u verifikua edhe nga këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit.
Megjithatë, Ipeshkvi Yohanna shtoi se ende nuk është e qartë se kur fëmijët do të ribashkohen me prindërit e tyre. Deri tani nuk dihet as vendndodhja e tyre aktuale dhe mënyra se si është siguruar lirimi, nëse përmes negociatave, përdorimit të forcës apo pagesës së ndonjë shpërblimi.
Mbi 250 nxënës dhe 12 staf ishin rrëmbyer nga shkolla St Mary’s Catholic School, pjesë e një vale të përsëritur të rrëmbimeve masive në rajon.
Guvernatori i shtetit fqinj Nasarawa, Abdullahi Sule, tha se qeveria federale luajti një rol kyç në lirimin e fëmijëve, por detajet e përpjekjeve prapa skenave nuk mund të zbuloheshin për arsye sigurie.
Së fundi, këshilltari kombëtar i sigurisë, Nuhu Ribadu, vizitoi Papiri-n javën e kaluar dhe takoi një delegacion të udhëhequr nga Ipeshkvi Yohanna, duke garantuar se fëmijët do të shpëtoheshin së shpejti dhe do të ribashkoheshin me familjet e tyre.
