Pas transferimit të Durim Bamit nga burgu i Fushë-Krujës në institucionin e vuajtjes së dënimit në Peqin, autoritetet kanë vendosur masa të forta sigurie për shkak të rrezikut të mundshëm ndaj jetës së tij.
Sipas raportimeve, Bami është vendosur në sektorin B të sigurisë së lartë, ku lëvizjet e tij janë të kufizuara dhe monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Mësohet se ai nxirret në oraret e ajrimit i vetëm dhe pa shoqërimin e të burgosurve të tjerë, në zbatim të një urdhri të brendshëm të Policisë së Burgjeve që po ndiqet nga të gjitha turnet.
Burime mediatike bëjnë me dije se informacionet mbi një atentat të mundshëm ndaj tij mbahen konfidenciale nga autoritetet, ndërsa kontrollet në burgjet e sigurisë së lartë janë intensifikuar ditët e fundit.
Sipas të njëjtave burime, vetëm në burgjet e Peqinit dhe Reçit janë zhvilluar deri në katër kontrolle blic së fundmi, si pjesë e masave të shtuara të sigurisë.
Më herët, pas ekstradimit nga Dubai dhe vendosjes në paraburgimin 313, Durim Bami kishte kërkuar lirimin e tij, duke pretenduar se i rrezikohej jeta./A.D
