Policia Kufitare ka bllokuar një “jet ski” dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me 500 mijë lekë të rinj.
Drejtuesi u kap duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve në zonën “Ishujt e Ksamilit”.
Njoftimi i policisë:
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Ishujt e Ksamilit”, shërbimet policore konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Menjëherë, shërbimet ndërhynë për ndalimin e mjetit lundrues dhe, në përfundim të veprimeve administrative, e bllokuan atë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi P. A., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.
Kontrollet dhe patrullimet vijojnë të pandërprera përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara./ad
