Autoritetet ruse të shëndetit publik u përpoqën të ulin shqetësimet lidhur me vdekjen e një shkencëtareje në një qendër kërkimore për murtajën në qytetin Irkutsk, në Siberi.
Institucioni rus “Rospotrebnadzor”, përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik, deklaroi në platformën ruse “Max” se situata shëndetësore dhe epidemiologjike në rajonin e Irkutskut, si dhe në qytetet Irkutsk dhe Shelekhov, është e qetë.
Autoritetet thanë se informacioni që po qarkullonte në internet, sipas të cilit ishin vendosur masa kundër përhapjes së epidemisë dhe kufizime të rrepta, ishte i rremë.
“Deri tani nuk është marrë asnjë vendim i tillë”, deklaroi “Rospotrebnadzor”.
Studiuesja 28-vjeçare, e cila punonte në Institutin për Kontrollin e Murtajës në Irkutsk, vdiq të premten në një spital në qytetin e afërt, Shelekhov.
Pas vdekjes së saj u ngritën dyshime se ajo mund të ishte infektuar me murtajën pulmonare, si pasojë e një aksidenti në laborator.
Në një deklaratë të dielën, “Rospotrebnadzor” hodhi poshtë pretendimet se kishte ndodhur një aksident në laborator dhe mohoi gjithashtu që shkencëtarja të ishte infektuar me murtajë.
Sipas autoriteteve, shkak i vdekjes ishte “pneumonia me origjinë të panjohur”.
Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” raportoi se analizat nuk kishin zbuluar te pacientja mikroorganizma, që të lidheshin me punën e saj profesionale.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se cili mikroorganizëm shkaktar (patogjen) e shkaktoi pneumoninë.
Në Irkutsk dhe Shelekhov, tre spitale, një spital për fëmijë dhe një maternitet u mbyllën për shkak të këtij rasti.
Punonjësit e institutit të murtajës janë vendosur në karantinë, dhe po mbahen të izoluar dhe nën vëzhgim, për të parë nëse shfaqin shenja infeksioni.
Sipas autoriteteve, nuk janë zbuluar raste të tjera infektimi.
Ndërkohë, Kazakistani, Uzbekistani, Kirgistani dhe Taxhikistani kanë shtuar kontrollet dhe vigjilencën në kufijtë e tyre, për të parandaluar hyrjen e personave që mund të jenë të infektuar.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka kërkuar Rusisë të japë më shumë informacion për rastin.
Masat e marra në Irkutsk, një qytet që ndodhet rreth 4,200 kilometra në lindje të Moskës, po shihen me dyshim.
Shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të historisë së Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik, ku në të kaluarën autoritetet janë kritikuar se kanë minimizuar ose fshehur përmasat e disa katastrofave./mxh
