Last Updated on 06/02/2026 by Monika
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka theksuar marrëdhëniet e forta me Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dukje bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë.
Deklaratat Orban i bëri gjatë një interviste për radion shtetërore, ku foli për mbështetjen që, sipas tij, Hungaria ka gjetur në SHBA. Ai tha se qëndrimi i përbashkët mbi konfliktin Ukrainë–Rusi ka qenë çelësi i këtij afrimi.
“Ne kemi qenë të suksesshëm në Amerikë, sepse ka një çështje të madhe ndërkombëtare për të cilën biem dakord dhe ku edhe ata kanë nevojë për ne. Kjo është lufta në Europë, çështja e paqes dhe e luftës,” u shpreh Orban, duke shtuar se Hungaria është i vetmi vend europian që ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se lufta nuk do të kishte nisur nëse Donald Trump do të ishte president i SHBA-ve në vitin 2022.
Deklaratat e Orban vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump e ka mbështetur publikisht atë përpara zgjedhjeve parlamentare në Hungari, të planifikuara për më 12 prill. Në një postim në rrjetet sociale, Trump e cilësoi Orban si një “udhëheqës të fortë dhe të fuqishëm”, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve gjatë administratës së tij.
Megjithatë, Orban përballet me një sfidë serioze politike në vend. Sipas sondazheve të fundit, partia opozitare e qendrës së djathtë, Tisza, kryeson ndaj partisë qeverisëse Fidesz, ndërsa një forcë e djathtë ekstreme pritet të hyjë në parlament.
Këto zgjedhje konsiderohen si sfida më e madhe për Viktor Orban që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2010, ndërsa një pjesë e madhe e elektoratit vijon të mbetet e pavendosur./mxh
