Rusia ka bërë të ditur se nuk do të dërgojë përfaqësues në bisedimet për Ukrainën që pritet të mbahen në Turqi më 19 nëntor. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili theksoi se “për momentin, kontaktet po zhvillohen pa pjesëmarrjen ruse”.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy njoftoi se do të udhëtojë në Turqi të mërkurën, me qëllim ringjalljen e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Një burim turk bëri të ditur se në takimet e planifikuara do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff.
Peskov shtoi gjithashtu se presidenti Vladimir Putin mbetet i hapur për të diskutuar me SHBA-në dhe Turqinë rreth rezultateve të këtyre bisedimeve, edhe pse Rusia nuk do të jetë e pranishme.
Ndërkohë, u konfirmua se as i dërguari i posaçëm i Putinit, Kirill Dmitriev, nuk do të marrë pjesë në takimet e Stambollit. Një burim pranë tij tha për Reuters se Dmitriev ka zhvilluar tashmë “diskutime shumë produktive” me përfaqësuesin amerikan Witkoff gjatë vizitës së tij në SHBA më 24–26 tetor.
Turqia, vend anëtar i NATO-s që ruan marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, ka shërbyer si qendra kryesore e bisedimeve që prej vitit 2022. Megjithatë, muajt e fundit diplomacia ka stagnuar, veçanërisht pasi presidenti amerikan Donald Trump sanksionoi kompanitë ruse të naftës Lukoil dhe Rosneft, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e cilëson si bllokim të bisedimeve nga Moska./MXH
