Last Updated on 20/07/2026 by EL
Tensionet diplomatike mes Italisë dhe Rusisë janë përshkallëzuar, pasi Moska ka dëbuar atasheun ushtarak italian dhe një nga bashkëpunëtorët e tij. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili e cilësoi vendimin e autoriteteve ruse si një “akt të hapur hakmarrjeje”.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Tajani deklaroi se dy diplomatët italianë janë dëbuar “pa asnjë arsye”, duke e lidhur këtë veprim me vendimin e mëparshëm të Italisë për të dëbuar dy atashe ushtarakë rusë, të akuzuar për spiunazh.
“Federata Ruse ka dëbuar pa asnjë motiv atasheun ushtarak italian në Moskë dhe një bashkëpunëtor të tij. Ky është një akt i qartë hakmarrjeje për dëbimin nga Italia të dy zyrtarëve ushtarakë rusë, të cilët u kapën në flagrancë duke kryer aktivitete spiunazhi kundër sigurisë sonë kombëtare”, deklaroi kreu i diplomacisë italiane.
Kriza diplomatike nisi më 9 korrik, kur një hetim i Prokurorisë së Romës zbuloi prova që, sipas autoriteteve italiane, implikonin dy atashe ushtarakë të Ambasadës ruse në Romë në aktivitete të paligjshme spiunazhi.
Pas këtij zhvillimi, Ministria e Jashtme italiane urdhëroi largimin e dy diplomatëve rusë nga territori italian brenda tre ditëve. Tajani e përshkroi atëherë rastin si një “ndërhyrje të rëndë dhe të papranueshme”, duke e cilësuar pjesë të strategjisë së ashtuquajtur “luftë hibride” që, sipas Romës, Kremlini po zhvillon ndaj vendeve perëndimore.
Moska reagoi menjëherë ndaj vendimit italian, duke paralajmëruar se do të ndërmerrte masa reciproke. Autoritetet ruse kritikuan gjithashtu qeverinë italiane, ndërsa më pas Ministria e Jashtme e Italisë thirri ambasadorin rus në Romë për të kërkuar sqarime lidhur me përshkallëzimin e situatës.
Dëbimi i diplomatëve italianë shihet si një tjetër episod në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, në një periudhë tensionesh të vazhdueshme për çështjet e sigurisë dhe akuzat reciproke për spiunazh./et
