Russell Brand ka dëshmuar në gjyqin ndaj tij, duke mohuar të gjitha akuzat dhe duke zbuluar se nuk kishte arritur të bindte askënd që të paraqitej si dëshmitar në mbrojtje të tij.
Sipas Sky News, komediani u thirr për të dëshmuar nga avokati i tij, Ian Winter, si dëshmitari i parë në nisje të paraqitjes së argumenteve të mbrojtjes. Winter e pyeti Brand nëse kishte kryer secilin prej veprimeve për të cilat akuzohet, ndërsa ai u përgjigj vazhdimisht: “Jo”.
Më pas, Brand u pyet për famën që kishte fituar në mesin e viteve 2000. Ai deklaroi se martesa me Katy Perry-n në vitin 2010 i solli një famë marramendëse.
Ai zbuloi se asnjë person që kishte informacion të rëndësishëm për çështjen nuk kishte pranuar të dëshmonte në favor të tij gjatë gjyqit.
“E gjithë jeta ime është përthithur nga këto akuza. Jam përkushtuar plotësisht ndaj kësaj çështjeje”, deklaroi ai para gjykatës.
Shtatë akuzat dhe vendimi i gjyqtarit
Të martën, më 27 tetor, gjyqtari ndryshoi njërën prej shtatë akuzave ndaj Brand, duke e zëvendësuar akuzën për sulm të pahijshëm seksual me atë për tentativë sulmi të pahijshëm seksual. Ai u shpjegoi anëtarëve të jurisë se kishte “prova të pamjaftueshme” lidhur me një incident që pretendohet se ka ndodhur në vitin 2001 dhe që përfshinte një punonjëse të MTV-së.
Brand përballet gjithashtu me tri akuza për përdhunim dhe tri akuza për sulm seksual, ndërsa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat. Çështja lidhet me denoncimet e gjashtë grave, të cilat pretendojnë se ngjarjet kanë ndodhur në periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2009.
Jashtë gjykatës në Londër, Brand u deklaroi gazetarëve, sipas Sky News:
“Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, mendoj se do të ishte e papërshtatshme të thoja diçka tjetër përveç faktit se jam veçanërisht mirënjohës që sot është një ditë e kushtuar së vërtetës dhe drejtësisë. Jemi me fat që kemi ende një sistem të aftë për t’u shërbyer këtyre vlerave”.
Për çfarë e akuzojnë gjashtë gratë?
Prokuroria paraqiti argumentet e saj gjatë dy javëve të mëparshme. Në fjalën hyrëse, prokurorja shtjelloi secilën prej akuzave ndaj Brand, duke e cilësuar atë si “të pamëshirshëm, llogaritës dhe të pangopur për marrëdhënie seksuale”.
Gruaja e parë që ka bërë denoncim pretendon se Brand e përdhunoi në vitin 1999, gjatë konferencës së Partisë Laburiste në Bournemouth, pasi më parë i kishte kërkuar ta fotografonte gjysmë të zhveshur.
Denoncimi i dytë lidhet me një punonjëse të MTV-së, e cila pretendon se në vitin 2001 Brand e kapi me forcë dhe u përpoq ta tërhiqte brenda një tualeti.
Gruaja e tretë pretendon se, gjatë një feste në Soho në vitin 2004, Brand e kapi fort nga gjoksi dhe më pas e përdhunoi përmes seksit oral brenda një tualeti.
Akuza e katërt lidhet me një incident që pretendohet se ka ndodhur në zyrat e stacionit radiofonik Capital Radio në vitin 2004 ose 2005. Sipas prokurorisë, Brand e shtyu një grua pas murit dhe e puthi në mënyrë agresive, ndërsa e prekte në gjoks, në pjesën anësore të trupit dhe në të pasme.
Gruaja e pestë e akuzon Russell Brand për përdhunim, duke pretenduar se ai e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale anale pa pëlqimin e saj, ndonëse më parë kishin kryer marrëdhënie seksuale me pëlqimin e të dyve.
Denoncimi i gjashtë vjen nga një grua që pretendon se Brand i kërkoi me insistim t’i bënte masazh, ndërsa ajo ndodhej në një udhëtim pune në vitin 2009./mxh
