Italia është zemëruar pas zbulimit të një salce “carbonara” të prodhuar në Belgjikë dhe të shitur në dyqanin e Parlamentit Europian, e cila përdorte përbërës jo tradicionalë. Ministri italian i bujqësisë, Francesco Lollobrigida, kërkoi një hetim të menjëhershëm, duke e cilësuar çështjen si një “krim kulinar” dhe një fyerje ndaj traditës italiane.
Salca, e prodhuar nga kompania belge Delhaize, përdorte pancetta të tymosur në vend të guanciale, gjë që sipas kritikëve shkel rregullat e rrepta të recetës autentike të carbonara-s. Për Italinë, e cila po kërkon që gastronomia e saj të njihet nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale, produktet “Italian sounding” dëmtojnë identitetin dhe vlerën e kuzhinës italiane.
Organizata bujqësore Coldiretti paralajmëroi se produktet e rreme që imitojnë ushqimin italian i kushtojnë vendit mbi 120 miliardë euro në vit dhe shpesh vijnë nga vende të industrializuara. Parlamenti Europian konfirmoi se salca belge është hequr nga raftet, ndërsa kompania prodhuese nuk komentoi ndaj kërkesës së CNN./MXH
