Last Updated on 08/06/2026 by Kesjana
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, në festën e organizuar në Elbasan në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të PS-së, ku mbajti një fjalim me tone politike dhe simbolike, duke ngritur në fund një teke raki “për Shqipërinë Europiane”.
Gjatë fjalës së saj, Mila komentoi edhe protestat e zhvilluara në Tiranë lidhur me çështjen e Zvërnecit, duke u shprehur se ndihej e lumtur që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë mund të protestojnë lirshëm.
“Në Tiranë me mijëra njerëz, ndër ta të rinj, gjenerata Z, kanë dalë duke shpalosur kreativitetin e vet me pankarta, me emocione dhe gjithçka ka ky brez i ri. Unë kur i shoh jam shumë krenare. Por më shumë sesa krenare, jam shumë e lehtësuar, sepse jam bërë pjesë e PS, pjesë e gjeneratës së tyre për një arsye të vetme. Sepse demokracia funksionon vetëm atëherë kur nuk matet me duartrokitje, por me nivelin e kundërshtisë që mund të të bëjnë. Prandaj jam shumë e lumtur që t’i shoh, kushdo qoftë kauza e tyre. Qoftë edhe që një meme të shkojë virale, jam e lumtur t’i shoh atje të lirë”, tha ajo, duke vlerësuar pjesëmarrjen e të rinjve në protesta, pavarësisht kauzës që ata mbështesin.
Deputetja socialiste bëri edhe një krahasim me të kaluarën, duke deklaruar se protestat në vend nuk kanë qenë gjithmonë të lira dhe pa pasoja. Ajo përmendi ngjarjet e 21 Janarit, duke theksuar se dikur protestuesit janë përballur me dhunë dhe humbje jete.
Gjatë fjalës së saj ajo ndau edhe dy porositë që i kanë dhënë banorët në terren. “Në zonat e fshatrave në Elbasan kam vetëm 2 porosi. E para ‘ndreqja mirë qejfin atij plakut Mere’. E dini ju për kë e kam, për Saliun. E dytë është ‘moj vajzë të ecësh për zonën tonë në gjurmët e Bukurosh Stafës’. Siç e do tradita kam vendosur që bashkë me Bukuroshin ta kthejmë një teke raki për nder të kësaj dekorate. Me fund për Shqipërinë Europiane”, tha mes të tjerash Mila. Festimet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste bënë bashkë në Elbasan themeluesit, deputetët e mbështetësit ndër vite të kësaj force politike./kb
