Last Updated on 06/02/2026 by Monika
Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar mbi 30 tonë lëndë narkotike, marijuanë gjatë një operacioni të zhvilluar në Shkup dhe Strumicë, në atë që konsiderohet sasia më e madhe e konfiskuar ndonjëherë në një aksion të vetëm.
Sipas autoriteteve, lënda narkotike ishte kultivuar ligjërisht për qëllime mjekësore, por dyshohet se ishte destinuar të devijohej ilegalisht drejt tregut të zi, brenda dhe jashtë vendit.
Hetimet janë përqendruar te një kompani e kultivimit të kanabisit me interesa serbe, me seli në Shkup, e cila dyshohet se lidhet edhe me sekuestrimin e pesë tonë kanabis nga policia serbe më 30 janar 2026. Për këtë rast, autoritetet serbe kanë arrestuar tre persona, ndërsa hetimet vijojnë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se priten zbulime të tjera dhe se dhjetëra tonë kanabis ndodhen ende në depo, të destinuara për tregun e zi.
Në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2017, dhjetëra kompani janë licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor, por autoritetet pranojnë se kontrolli i këtij sektori mbetet një sfidë serioze./mxh
