Më shumë se 3.3 tonë kokainë janë sekuestruar në një operacion të përbashkët të autoriteteve spanjolle dhe portugeze në rajonin e Costa del Sol në Spanjë dhe në Portugali.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre persona, dy në Spanjë dhe një në Portugali, të cilët dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Operacioni u zhvillua më 13 gusht, pas një hetimi të përbashkët të autoriteteve të të dyja vendeve, të cilat dyshojnë se grupi transportonte sasi të mëdha kokaine mes Spanjës dhe Portugalisë.
Të arrestuarit përballen me një sërë akuzash, përfshirë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafik droge, posedim të paligjshëm të armëve, sulm ndaj efektivëve të policisë dhe shkelje të rregullave të sigurisë rrugore.
Hetimi nisi, kur autoritetet spanjolle morën informacion se një furgon po transportonte një sasi të konsiderueshme droge nga Portugalia drejt Costa del Sol.
Gjurmët e hetimit çuan autoritetet në një pronë në Torremolinos, ku u zbuluan sasi të mëdha kokaine. Paralelisht, efektivët nisën të monitoronin automjetet që dyshohej se përdoreshin për transportin dhe ruajtjen e drogës.
Një prej automjeteve u drejtua në Marbella, ku u ndalua nga policia. Gjatë kontrollit u gjetën rreth 2,000 kilogramë kokainë dhe u arrestua një person.
Në të njëjtën kohë, kontrolli i pronës në Torremolinos çoi në sekuestrimin e rreth 1,700 kilogramëve kokainë. Në vendngjarje u arrestua një person tjetër, ndërsa policia gjeti edhe një pistoletë të mbushur.
Operacioni u shtri edhe në Portugali, ku Policia Gjyqësore identifikoi furgonin që dyshohet se ishte përdorur për transportin e drogës, teksa po kthehej drejt Spanjës.
Automjeti u ndalua dhe drejtuesi i tij u arrestua. Brenda furgonit u gjetën rreth 1,500 kilogramë kokainë, si dhe dy armë me tytë të gjatë. Shoferi ishte personi i tretë i arrestuar në kuadër të operacionit.
Përveç drogës dhe armëve, autoritetet sekuestruan gjithsej tre armë, dy automjete dhe rreth 1,100 euro cash.
Gjatë kontrolleve u gjetën gjithashtu kamera mbikëqyrjeje, pajisje për shikim natën dhe pajisje komunikimi, të cilat po analizohen nga hetuesit për të zbardhur mënyrën e organizimit dhe funksionimit të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës./mxh
