Kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për të aneksuar Groenlandën përfaqëson një krizë ekzistenciale për NATO-n, paralajmëroi senatori demokrat i SHBA-së, Chris Murphy.
“Do të ishte fundi i NATO-s, apo jo? NATO do të kishte një detyrim për të mbrojtur Groenlandën”, tha senatori i Connecticut, i cili është gjithashtu anëtar i komitetit të marrëdhënieve me jashtë të dhomës.
Murphy shtoi se kjo do të thoshte qartësisht se SHBA do të ishte në luftë me Evropën, me Anglinë dhe Francën. Komentet e Murphy vijnë ndërsa Trump ka rritur paralajmërimet për territorin e Arktikut, ku ka deklaruar se në një mënyrë ose në një tjetër, SHBA do ta ketë Groenlandën.
Groenlanda është një ish-koloni e Danimarkës dhe mbetet një pjesë autonome e mbretërisë daneze, me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë nën kontrollin e Kopenhagenit.
Të dielën, Frederiksen akuzoi SHBA-në se i ka kthyer shpinën NATO-s dhe tha se takimi i së mërkurës në Uashington DC midis ministrave të jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, Lars Løkke Rasmussen dhe Vivian Motzfeldt, dhe sekretarit të shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, do të ishte vendimtar.
“Jemi në një udhëkryq dhe ky është një moment kritik”, tha Frederiksen në një tubim politik.
Komentet pesimiste të Murphy dhe Frederiksen u mbështetën të hënën nga Andrius Kubilius, komisioneri i mbrojtjes i Bashkimit Evropian, i cili vuri në dukje se një traktat i BE-së “i detyronte” shtetet anëtare të vinin në ndihmë të Danimarkës nëse përballeshin me veprime ushtarake nga Trump./mxh
