Last Updated on 08/10/2026 by EL
Senatorja amerikane nga radhët e demokratëve, Jeanne Shaheen, ka thënë të enjten në Sarajevë se shpreson se Bosnje e Hercegovina do të vazhdojë të shikojë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe të largohet nga Rusia.
Shaheen po qëndron për një vizitë dyditore në Bosnje, gjatë së cilës vizitoi Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës dhe u shpall “Qytetare Nderi e Sarajevës”.
Marrëdhëniet e Rusisë me rajonin ishte një nga temat për të cilat ajo kishte folur edhe më herët. Në një intervistë të mëparshme për Radion Evropa e Lirë, Shaheen tha se Rusia synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, pasi Moska e sheh këtë rajon si “një front të dytë të mundshëm”.
Shaheen, demokratja kryesore në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, prej kohësh paralajmëron edhe për rreziqet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe angazhohet për një prani më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara në rajon.
“Shpresoj se në të ardhmen do të vazhdoni të shikoni drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe të largoheni nga Rusia”, tha Shaheen gjatë një takimi me gazetarët në Sarajevë.
Sa i përket Bosnjës, senatorja amerikane ka theksuar në shumë raste mbështetjen e saj për sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të vendit, duke vlerësuar se vazhdimi i angazhimit amerikan dhe ndërkombëtar është i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit.
“Besoj se është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të luajnë rol në mbështetjen e përparimit të vendit. Unë kam mbështetur integritetin territorial të këtij vendi dhe jam shumë e kënaqur që kemi pasur mundësinë të miratojmë disa ligje në mbështetje të Bosnjës dhe Ballkanit Perëndimor”, tha ajo në Sarajevë të enjten.
Sipas saj, qëndrimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ndaj Bosnjës është i unifikuar.
“Bosnje e Hercegovina është një vend që është i orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe Perëndimit dhe ne përpiqemi ta mbështesim këtë orientim. Mendoj se është e rëndësishme t’ia kujtojmë administratës rolin që Bosnja, Ballkani Perëndimor dhe i gjithë ky rajon duhet ta luajë në Bashkimin Evropian”, tha senatorja Shaheen.
“Interkoneksioni jugor, projekt i mirë për rajonin”
Senatorja Shaheen foli edhe për çështjen e ndërtimit të Interkoneksionit Jugor në entitetin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.
Projekti po zhvillohet në kuadër të synimit më të gjerë për të ulur varësinë e plotë të Bosnjës ndaj gazit rus. Nismën e mbështesin Shtetet e Bashkuara me synim forcimin e ndërlidhjes energjetike, të transportit dhe asaj digjitale në këtë rajon.
“Sa i përket interkoneksionit të gazit, mendoj se është në interes të Bosnjës dhe në interes të tërë Ballkanit Perëndimor që të çliroheni nga gazi dhe karburantet ruse. Bota perëndimore po punon në këtë drejtim dhe mendoj se është në interes të kësaj pjese të Evropës që të bëjë të njëjtën gjë. Edhe Evropa Perëndimore po e bën këtë. Mendoj se është një projekt i mirë për rajonin”, tha senatorja.
Projekti i Interkoneksionit Jugor të gazit parasheh ndërtimin e një gazsjellësi nga Spliti në Kroaci deri në Travnik në Bosnjën qendrore, me një degëzim drejt Mostarit.
Vlera e parashikuar e projektit është rreth një miliard euro.
Bosnja blen gaz rus që nga viti 1979, kur u ndërtua gazsjellësi i vetëm ekzistues nga Beogradi në Sarajevë.
Shaheen, anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, e nisi të mërkurën vizitën në Ballkanin Perëndimor.
Ajo po e udhëheq një delegacion të Kongresit amerikan që gjatë vizitës do të qëndrojë edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Kosovë.
Delegacioni do të qëndrojë në rajon nga 6 deri më 13 tetor.
Nuk është e qartë se në cilën datë saktësisht do të jetë në Kosovë Shaheen.
Gjatë vizitës, Shaheen pritet të takohet me zyrtarë qeveritarë, pjesëtarë të personelit diplomatik amerikan, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të rinj udhëheqës, për të diskutuar sigurinë rajonale, institucionet demokratike, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Kjo është vizita e fundit e Shaheenit në kuadër të një delegacioni të Kongresit në cilësinë e anëtares së rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit./et
