Bashkimi Evropian po shqyrton pezullimin e fondeve nga një paketë kredish dhe grantesh prej 1.6 miliardë eurosh për Serbinë, për shkak të miratimit së fundmi në parlament të ndryshimeve ligjore që ndikojnë në pavarësinë e gjyqësorit. Reformat për të centralizuar gjyqësorin kanë hyrë në fuqi këtë javë.
Këto ndryshime kanë sjellë kritika nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët i tremben tashmë konsolidimit të pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiç mbi drejtësinë në vend.
Sipas burimeve tona në Bruksel, Komisioni Evropian po shqyrton dispozitat e financimit për Serbinë sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, pasi këto fonde varen nga respektimi i standardeve të sundimit të ligjit.
Ndryshimet e fundit ligjore që miratoi parlamenti serb kufizojnë mandatet e kryeprokurorëve publikë dhe rrisin kompetencat e kryetarëve të gjykatave, duke çuar në shqetësime lidhur me integritetin e vendimmarrjes në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të profilit të lartë politik në qeverinë serbe.
Në përgjigje të kritikave, Serbia u detyrua të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias, një panel ekspertësh të së drejtës kushtetuese. BE pret që të rishikohen ligjet që sollën ndryshime në sistemin e drejtësisë në përputhje me udhëzimet në kuadër të negociatave për integrimin evropian.
Serbia filloi bisedimet zyrtare për t’u bashkuar me BE-në në vitin 2014, por korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta kanë ngadalësuar progresin./kb