Last Updated on 29/10/2025 by EL
Komisioni Evropian pritet të miratojë dhe të publikojë së shpejti paketën vjetore të zgjerimit, së bashku me raportet e progresit për vendet që përfshihen në këtë proces. E rrjeti ballkanik i lajmeve “N1” ka paralajmëruar se raporti për Serbinë do të jetë “dukshëm më i ashpër” sesa në të kaluarën, duke reflektuar zhgënjimin e Bashkimit Evropian mbi moszbatimin e reformave dhe regresin e përgjithshëm në Serbi.
Në bazë të informacioneve nga korrespondenti i “N1”-shit në Bruksel, raporti për Serbinë do të jetë “më i pafavorshmi” që nga fillimi i negociatave të anëtarësimit në mars 2012. Një problem i veçantë mbetet përafrimi i dobët i Serbisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, kryesisht në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.
KE-ja, sipas burimeve të rrjetit, pritet t’ua bëjë me dije liderëve serbë se “të ulesh në dy karrige nuk është më e mundur” për shkak se, sipas tyre, është momenti i fundit që Serbia të përcaktojë qartë nëse prioriteti i saj strategjik është Brukseli apo Moska.
Parlamenti Evropian ka miratuar javën e kaluar një rezolutë lidhur me polarizimin dhe represionin në Serbi, duke e quajtur lidershipin serb politikisht përgjegjës për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e demokracisë./E.T
