Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se objektivat e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Iranit mbeten të pandryshuara që nga dita e parë e ndërhyrjes ushtarake.
Në një konferencë për shtyp, Hegseth theksoi se operacionet ushtarake janë në përputhje me planin fillestar dhe synojnë shkatërrimin e kapaciteteve raketore, industrisë së mbrojtjes dhe flotës detare të Iranit, si dhe parandalimin përfundimtar të pajisjes së këtij vendi me armë bërthamore.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pas ceremonisë mortore për gjashtë ushtarakë amerikanë të rënë në detyrë, ku familjarët, sipas tij, kërkuan që misioni të përfundojë pa u lëkundur.
“Ne do ta përfundojmë këtë,” u shpreh Hegseth, duke shtuar se qëllimi i Shteteve të Bashkuara nuk është ndërtimi i kombeve apo promovimi i demokracisë, por eliminimi i kërcënimeve direkte ndaj amerikanëve.
Sipas Pentagonit, që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt, janë goditur rreth 7 mijë objektiva brenda Iranit, përfshirë baza industriale ushtarake, anije minosëse dhe nëndetëse.
Hegseth deklaroi se kapacitetet mbrojtëse ajrore të Iranit janë “shkatërruar”, ndërsa sulmet me raketa balistike dhe dronë ndaj forcave amerikane janë ulur me rreth 90 për qind.
Ai kritikoi gjithashtu median, duke e akuzuar se po minimizon arritjet dhe po amplifikon kostot e konfliktit, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se lufta mund të kthehet në një konflikt të zgjatur.
“Ne po fitojmë,” theksoi ai, duke shtuar se operacionet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë të objektivave ushtarake./mxh
