Lindja e Mesme po përballet me një tjetër rritje të tensioneve. Sipas Corriere della Sera-s, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një alarm të përgjithshëm sigurie për ambasadat dhe qytetarët amerikanë në Izrael dhe në vendet e rajonit, mes frikës për një përshkallëzim të shpejtë të situatës.
Sipas Ambasadës amerikane në Izrael, Irani dhe rebelët Huthi mund të marrin në shënjestër misione diplomatike, kompani dhe institucione amerikane në rajon.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka konfirmuar se rebelët Huthi të Jemenit kanë tentuar të godasin Riadin me një raketë balistike. Sipas autoriteteve saudite, ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë ndaj kryeqytetit që nga përshkallëzimi i luftimeve me rebelët e mbështetur nga Teherani.
Edhe Bashkimi Evropian po diskuton forcimin e pranisë në rajon. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, i është përgjigjur letrës së ministrit italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, duke rënë dakord për nevojën e forcimit të misionit detar “Aspides”. Sipas burimeve evropiane, Kallas do t’u dërgojë një letër shteteve anëtare për t’i përfshirë në këtë nismë.
“Aspides” është misioni ushtarak detar i Bashkimit Evropian në Detin e Kuq. Ai u krijua për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet e Huthëve dhe për të garantuar lundrimin e sigurt në një nga rrugët kryesore të tregtisë botërore.
Misioni është mbrojtës: anijet luftarake evropiane shoqërojnë anijet tregtare dhe mund të rrëzojnë raketa ose dronë që i kërcënojnë, por nuk kanë mandat të sulmojnë objektiva në territorin e Jemenit./k.m
