Last Updated on 09/09/2026 by Monika
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj 27 kompanive ajrore iraniane, në kuadër të masave të reja të Uashingtonit kundër Iranit gjatë luftës mes dy vendeve.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi masat ndaj kompanive ajrore shtetërore dhe private iraniane.
Në listën e re përfshihen “Kish Airlines”, “Iran Air Tour” dhe “ATA Airlines”, duke zgjeruar ndjeshëm numrin e operatorëve të aviacionit iranian që preken nga sanksionet amerikane.
Disa prej kompanive më të mëdha ajrore të Iranit, përfshirë “Mahan Air”, “Iran Air” dhe “Meraj Air”, ishin tashmë nën sanksione amerikane.
Masat e reja tani përfshijnë një pjesë shumë më të madhe të sektorit të transportit ajror të Iranit.
Sipas autoriteteve amerikane, pasojat mund të shtrihen edhe tek kompanitë e huaja dhe bankat që vazhdojnë të bëjnë biznes me linjat ajrore të sanksionuara.
Kjo mund t’i detyrojë disa partnerë ndërkombëtarë të ndërpresin marrëdhëniet me operatorët iranianë.
Masat pritet të prekin edhe udhëtarët, pasi platformat e huaja të rezervimit dhe ofruesit e pagesave mund të shmangin bashkëpunimin me kompanitë e sanksionuara, nga frika e ndëshkimeve amerikane.
Si pasojë, blerja e biletave mund të bëhet më e vështirë.
Linjat ajrore ndërkombëtare kryesisht kanë shmangur fluturimet drejt Iranit që prej shpërthimit të luftës në fund të shkurtit.
Për këtë arsye, udhëtarët që duan të arrijnë në Teheran janë mbështetur kryesisht te kompanitë iraniane për lidhje përmes Stambollit ose Dubait.
Me zgjerimin e listës së sanksioneve, Uashingtoni po rrit presionin ndaj sektorit iranian të aviacionit, ndërsa masat mund të ndikojnë jo vetëm kompanitë ajrore, por edhe financimin, rezervimet dhe udhëtimet ndërkombëtare që lidhen me to./mxh
