Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit në SHBA-së, Joseph Kent, dha dorëheqjen të martën (17 mars), duke u bërë zyrtari më i lartë i administratës së Presidentit Donald Trump që largohet nga posti për shkak të luftës kundër Iranit.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar Presidentit Trump, Kent shkruante: “Nuk mund ta mbështes në ndërgjegje këtë luftë që po zhvillohet në Iran. Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për vendin tonë, dhe është e qartë se ne nisëm këtë luftë nën presionin e Izraelit dhe lobit të tij të fuqishëm amerikan.”
Kent, veteran i 11 misioneve luftarake dhe bashkëshort i një “Gold Star” që humbi gruan e tij në një luftë të lidhur me interesat izraelite, tha se nuk mund të dërgojë gjeneratën e ardhshme amerikane në një luftë që nuk sjell përfitime për popullin amerikan dhe nuk justifikon humbjet e jetëve amerikane.
Drejtues të inteligjencës amerikane u morën papritur nga ky vendim, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk kanë reaguar menjëherë.
Kent ka një lidhje të ngushtë me Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka qëndruar larg syrit të publikut që nga nisja e luftës në Iran dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë publike, përveç pjesëmarrjes në transferimin solemn të trupave të ushtarëve amerikanë të vrarë më parë këtë muaj.
Ky veprim shihet si një sinjal i fortë i brendshëm për debat dhe kundërshtim ndaj përfshirjes së SHBA-së në konfliktin në Lindjen e Mesme./mxh
