Pas një vëzhgimi me dron, Policia e Shijakut ndërhyri në një banesë në fshatin Koxhas-Kodër, Xhafzotaj, ku sekuestroi 2 armë zjarri automatike, 20 fishekë dhe 32 500 euro. Në pranga ra 32-vjeçari Arlind Isai.
Operacioni i koduar “Baza” u organizua pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se i riu mbante armë zjarri në banesë. Gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 krehra me nga 10 fishekë secili.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas mbante armë zjarri pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Baza”. Si rezultat i operacionit, në fshatin Koxhas-Kodër, Xhafzotaj, Shijak, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. I., 32 vjeç, banues në Shijak.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri automatike, 2 krehra me nga 10 fishekë secili, një shumë prej 32.500 eurosh”, njofton Policia.
32-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme./k.m
