Last Updated on 22/09/2025 by adminfjala
Brutaliteti dhe shtypja atje nxjerrin në pah dështimet e një rendi botëror të çrregullt. Nëse nuk bëjmë më mirë, ky është e ardhmja që na pret.
Simon Tisdall
Fëmijët ishin në gjumë kur vdekja erdhi nga qielli. Një avion ushtarak hodhi dy bomba prej 500 librash (230 kg) mbi konviktin e shkollës së tyre, sipas dëshmitarëve. Imagjinoni, nëse mundeni, masakrën dhe tmerrin. Të paktën 18 persona humbën jetën. Të tjerë mbetën me plagë që u ndryshuan jetën përgjithmonë. Regjimi në pushtet pretendon se po lufton terroristë. Por më shpesh sesa jo, janë civilë të pambrojtur dhe të pafajshëm që vriten, gjymtohen apo shpërngulen. Jo, nuk është Gaza. Nuk është as Ukraina. Është Mianmari, ku mizori të tmerrshme – përfshirë krime kundër njerëzimit – ndodhin shpesh pa u raportuar dhe pa u ndëshkuar. Por kjo nuk i bën më pak të neveritshme apo më pak të denja për dënim universal.
Mianmari, dikur koloni britanike nën emrin Burma, ku lufta civile ka shpërthyer që nga grushti ushtarak i vitit 2021 që përmbysi qeverinë e zgjedhur, është një pasqyrë e botës së copëtuar të sotme. Udhëheqësit botërorë që po mblidhen këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së përballen me një mori krizash: sulme autoritare ndaj demokracisë, nivele rekord të konflikteve, shkelje masive të të drejtave të njeriut, pandëshkueshmëri për gjenocid dhe krime lufte, emergjenca humanitare të përkeqësuara nga shkurtimet e ndihmës së huaj, varfëri në rritje dhe shfrytëzim mjedisor i vendeve më të varfra.
Mianmari, i izoluar, i harruar dhe i zhytur në dhunë, i përmban të gjitha këto plagë. Në këtë kontekst global, ai përfaqëson një provë të dështimit të sistemit të udhëhequr nga OKB-ja, organizatave rajonale dhe “fuqive të mëdha” për të mbajtur rendin dhe për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. Është një provë që po e humbasin me turp. Dhe kur bëhet fjalë për Kinën, Rusinë dhe gjithnjë e më shumë për Donald Trump, ky dështim është i qëllimshëm. Si në shumë “zona konfliktesh” të tjera, ajo që ndodh çdo ditë në Mianmar është një turp ndërkombëtar, i padukshëm për botën.
Diktaturë në dritën e diellit
Hun’ta ushtarake në pushtet, e drejtuar nga Min Aung Hlaing, një diktator grotesk me medalje qesharake, është plotësisht e paligjshme. Protestat masive pas përmbysjes së qeverisë së Aung San Suu Kyi u shtypën me gjak. Më pas, grupe të armatosura etnike morën kontrollin e territoreve të mëdha – përfshirë pjesën më të madhe të shtetit Rakhine, ku ndodhi bombardimi i fundit i shkollës. E patrazuar, junta po planifikon zgjedhje në dhjetor për të ribranduar pushtetin e saj. Por dihet tashmë se ato do të jenë një farsë – me rezultatet e manipuluara që në nisje.
Mbështetja nga Kina është thelbësore për mbijetesën e regjimit. Si gjithmonë, Pekini parapëlqen “dorën e fortë” mbi demokracinë reale – me përparësi në kontrollin shtetëror dhe interesat në infrastrukturë, energji dhe miniera. Presidenti Xi Jinping e mirëpriti Min Aung Hlaing – i akuzuar për krime kundër njerëzimit nga prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale – në paradën përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore këtë muaj.
E njëjta mungesë respekti për demokracinë po shfaqet edhe nga Indi. Kryeministri Narendra Modi e përqafoi diktatorin dhe mbështeti zgjedhjet e rreme. Malajzia, si kryesuese e ASEAN-it, këmbëngul se një armëpushim duhet të paraprijë çdo votim. Por Tajlanda dhe Kamboxhia janë shkëputur nga ky qëndrim.
Lufta, tortura dhe një regjim me mbështetje ndërkombëtare
Nga njëra anë, Rusia e Vladimir Putinit – furnizuesja kryesore e armëve për juntën dhe me eksperiencë të gjerë në bombardimin e civilëve – është aleate e ngushtë e regjimit. Por më shqetësues është qëndrimi gjithnjë e më ambig i SHBA-së.
Edhe pse administrata Trump sanksionoi disa grupe kriminale që operojnë me mbështetjen e juntës në trafikim njerëzor dhe drogë, në korrik 2025 SHBA lehtësoi disa kufizime, duke ngjallur dyshime se, në këmbim të mineraleve të rralla që Mianmari zotëron, Uashingtoni mund të njohë regjimin. Kjo përkoi me një letër servile nga Min Aung Hlaing, që lëvdonte “udhëheqjen e fortë” të Trump.
Mizori të përditshme
Vuajtjet e popullit të Mianmarit janë të pakufishme. Mijëra civilë janë vrarë që nga grushti i shtetit; mijëra të tjerë janë burgosur pa gjyq. Rreth 4 milionë persona janë zhvendosur dhe janë zhytur më thellë në varfëri.
Pas një tërmeti në mars, forcat e regjimit vazhduan bombardimet, duke shpërfillur një armëpushim të pretenduar dhe duke bllokuar ndihmën emergjente. Muajin e kaluar, hetuesit e OKB-së raportuan për ekzekutime të përmbledhura dhe tortura sistematike – përfshirë djegie të organeve gjenitale, përdhunime në grup, mbytje, rrahje dhe elektroshok.
Ndërkohë, situata e viktimave të gjenocidit të vitit 2017 ndaj Rohingya-ve po përkeqësohet. Më shumë se 700,000 u larguan drejt Bangladeshit atëherë. Që nga viti 2024, luftimet dhe sulmet nga milicitë budiste kanë detyruar 150,000 të tjerë të ikin. Me prerjet e ndihmës nga SHBA dhe së shpejti edhe nga Britania, ushqimi dhe ndihmat mjekësore në kampet e refugjatëve në Bangladesh janë pranë shterrjes. OKB paralajmëron: deri në dhjetor, nëse trendi vazhdon, nuk do të ketë fare ushqim.
Kriza e Mianmarit është kriza e gjithë botës
Sipas çdo matjeje, kriza e Mianmarit është edhe kriza jonë. Ajo pasqyron dështimet e një bote që po rrënohet nën pesha të mëdha. Çfarë mund të bëhet?
Javën që vjen, do të mbahet një seancë e posaçme e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të kërkuar “zgjidhje të qëndrueshme” për Rohingya-t dhe pakicat e tjera në Mianmar. BE-ja dhe Britania, si “penholder” të çështjes në Këshillin e Sigurimit
Përgatiti për botim: L.Veizi
