Policia e Vaut të Dejës ka finalizuar operacionin e koduar “SHADOW”, i fokusuar në goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Si rezultat, u arrestua në flagrancë një 32-vjeçar, i identifikuar me inicialet K. P., banues në fshatin Kapedan.
Sipas Policisë, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative dhe në zbatim të planit të masave për rritjen e sigurisë, shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan kontrollin në lokalin e të dyshuarit dhe në një ambient ngjitur.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike të tipit kanabis, të cilën 32-vjeçari e posedonte me qëllim shitjen në doza.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, ku i arrestuari akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”./ K.M
