Ish-zv.ministri, arkitekti Artan Shkreli ka komentuar zhvillimet në bregdetin shqiptar, duke e cilësuar Palasën si një shembull të “dështimit afatgjatë të qëndrueshëm”, të cilin e përshkroi si një zonë të mbingarkuar ndërtimesh.
“Një nga shembujt e një dështimi afatgjat të qëndrueshëm është Palasa, si një varrezë gjigante, varrezat kanë gjelbërim, kurse ajo është një masë e madhe si gurore. Natyrisht është zone e shtrenjtë sepse kërkesa është më e madhe për të blerë një shtëpi në bregdet se vetë oferta. Jala është një nga shembujt e mire, e lidhur shumë mire me siluetin me detin. Shembujt më të mire do ishin rijetëzimi i fshatrave që ka bregu dhe do të jenë perlat e vërteta të ndërtuara bukur”, u shpreh ai.
Më tej, ai u ndal edhe te Zonat e Mbrojtura, duke deklaruar se në Zvërnec nuk duhet të ketë ndërtime.
“Në Zvërnec nuk duhet ndërtuar pasi është një zonë e mbrojtur dhe zonat e mbrojtura janë shumë të qarta. Ne kemi aderuar në Konventën e Ramsarit. Nuk duhet ndërtuar fare ose ndërtimet duhet të jenë druri, tip peshkatarësh”, tha ai në një intervistë për Radar.al.
Në kontrast, ai u shpreh pro zhvillimit turistik të Sazanit, duke theksuar se duhet parë në një kontekst tjetër.
“Ndërkohë Sazani është histori tjetër, duhet të turistifikohet. Janë dy situata të ndryshme Sazani me Zvërnecin”, shtoi ai./a.d
