Last Updated on 16/05/2026 by Anisa
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë detaje për operacionin që solli shpërbërjen e Komisariatit të Sarandës, pas arrestimit të krerëve të tij, shkruan A2 CNN.
Në pranga ranë Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati; Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve, Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin, Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj tyre rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale: “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të kryera në bashkëpunim.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale. Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës”, tha AMP.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet për rastin u referuan në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë./A.D
