Ballkani po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Evropë, duke tërhequr këtë vit një vëmendje të jashtëzakonshme nga vizitorët ndërkombëtarë, shkruan Pablo Sanchez-Montanes në një artikull të botuar në revistën spanjolle “La Vanguardia”.
Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina po dallohen si pika kyçe të këtij itinerari të ri turistik, falë kombinimit të peizazheve natyrore, trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të ofertës turistike, që po e pozicionon rajonin si një alternativë gjithnjë e më konkurruese kundrejt destinacioneve tradicionale mesdhetare.
Një nga itineraret më të kërkuara turistike në Evropën Juglindore përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke ofruar një udhëtim unik mes bregdetit Adriatik, qyteteve historike dhe peizazheve malore mbresëlënëse.
Ky udhëtim i organizuar nga “Exoticca” kombinon vizita në qytete mesjetare, peizazhe bregdetare të Adriatikut dhe vendet me trashëgimi të pasur kulturore në një përvojë 10-ditore.
Ky itinerar ofron një udhëtim të pandërprerë nga brigjet me ujëra të kristalta të Adriatikut, në fortesa historike, qytete të vjetra dhe zona malore që ruajnë ende autenticitetin e tyre natyror dhe kulturor.
Itinerari 10-ditor në zemër të Ballkanit
Shqipëria si pikë qendrore e itinerarit
Në këtë udhëtim, Shqipëria luan një rol qendror, duke ofruar një hyrje të plotë në Ballkanin perëndimor.
Nga Tirana dinamike, te Shkodra historike dhe veriu malor i vendit, Shqipëria paraqitet si një destinacion që kombinon autenticitetin, historinë dhe peizazhet natyrore.
Kryeqyteti shqiptar është një shembull i transformimit urban në rajon, ndërsa zonat veriore pasqyrojnë një trashëgimi të thellë historike dhe natyrore që mbetet ende e paprekur nga turizmi masiv.
Ky itinerar ofron një përvojë të plotë të Ballkanit, duke bashkuar kulturën, historinë dhe natyrën në një udhëtim të vetëm të organizuar.
Dita 1–2: Shqipëri – Tirana dhe veriu historik
Udhëtimi nis në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, një qytet që ndërthur historinë, trashëgiminë dhe zhvillimin modern.
Sheshi “Skënderbej”, muzeumet kombëtare dhe arkitektura e transformuar e qytetit pasqyrojnë një metropol në rritje, gjithnjë e më i hapur ndaj turizmit ndërkombëtar.
Tirana shërben si pikënisje për të eksploruar veriun e vendit, duke përfshirë zona historike si Lezha, ku ndodhet Memoriali i Skënderbeut, figura më e rëndësishme historike shqiptare.
Në këtë pjesë të itinerarit spikat edhe Shkodra, një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme të Shqipërisë veriore.
E rrethuar nga Alpet Shqiptare dhe Liqeni i Shkodrës, qyteti ofron një kombinim të rrallë mes natyrës dhe historisë.
Kalaja e Rozafës dominon peizazhin dhe ofron pamje panoramike mbi lumin Buna dhe malet përreth.
Dita 3–4: Mali i Zi – brigjet e Adriatikut dhe qytetet mesjetare
Udhëtimi vijon drejt Malit të Zi, me ndalesa në qytetin e Ulqinit, i njohur për muret e tij mesjetare dhe atmosferën mesdhetare, si dhe në qytetin bregdetar të Barit, ku ndërthuren relaksi, gastronomia lokale dhe perëndimet spektakolare të diellit mbi Adriatik.
Dita 5–6: Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina – trashëgimi historike dhe qendra ikonike
Në vijim, itinerari përfshin Kroacinë, me qytete historike si Dubrovniku, i njohur për muret e tij mesjetare dhe arkitekturën mesjetare të ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme.
Ndalesa në Bosnjë-Hercegovinë sjell një nga momentet më ikonike të udhëtimit: Mostarin, me Urën e famshme të vjetër që lidh dy brigjet e lumit Neretva dhe simbolizon bashkëjetesën kulturore të rajonit.
Dita 7–8: Peizazhe natyrore dhe trashëgimi kulturore në Ballkan
Këto ditë i kushtohen eksplorimit të natyrës së rajonit: male, liqene dhe parqe kombëtare që ofrojnë një kontrast të fortë me qytetet historike të vizituara më parë.
Vizitorët përjetojnë një Ballkan më të egër dhe autentik, ku natyra mbetet ende e paprekur.
Dita 9–10: Rikthimi në Shqipëri – Tirana dhe përmbyllja e udhëtimit
Udhëtimi përfundon në Shqipëri, me kthim në Tiranë, ku vizitorët kanë mundësi të shijojnë jetën urbane, gastronominë dhe atmosferën e gjallë të kryeqytetit./a.d
