Last Updated on 06/06/2026 by EL
Shqiptarët vazhdojnë të sigurojnë shumë pak pronën e tyre krahasuar me vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore. Të dhënat nga raporti më i fundit i Xprimm tregojnë se sigurimi i pronës mbetet një nga segmentet më të pazhvilluara në Shqipëri.
Sipas raportit rajonal, sigurimet e pronës përbëjnë vetëm rreth 10% të portofolit total të sigurimeve në Shqipëri, ndërsa pjesa më e madhe e tregut dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorike. Në vendet e zhvilluara të rajonit, pesha e sigurimit të pronës është dukshëm më e lartë. Në Çeki arrin në 19%, në Hungari 20%, ndërsa në Estoni dhe Lituani luhatet mes 18 dhe 25%.
Edhe nga vlera absolute, tregu shqiptar mbetet shumë i vogël. Gjatë vitit 2025, primet e shkruara bruto për sigurimin e pronës arritën në rreth 29 milionë euro, duke zënë vetëm 0.32% të tregut rajonal të Evropës Qendrore dhe Lindore. Për krahasim, në Poloni ky segment gjeneron mbi 3.2 miliardë euro, ndërsa në Çeki afro 1.9 miliardë euro.
Kjo situatë lidhet me mungesën e kulturës së sigurimit, nivelin më të ulët të të ardhurave dhe perceptimin se sigurimi i banesës apo biznesit nuk është një domosdoshmëri. Megjithatë, kjo ekspozon familjet dhe bizneset ndaj rreziqeve të mëdha financiare në rast zjarresh, përmbytjesh, tërmetesh apo dëmtimeve të tjera.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit për pronat në Shqipëri ranë në rreth 6 milionë euro në vitin 2025, nga afro 9 milionë euro një vit më parë. Kjo pasqyron një nivel të ulët të mbulimit me sigurim, por edhe një treg që mbetet i kufizuar në krahasim me standardet evropiane.
Ndërsa Shqipëria përballet periodikisht me fatkeqësi natyrore dhe rreziqe të ndryshme për banesat e bizneset, statistikat tregojnë se shumica e pronave në vend vazhdojnë të mbeten të pasiguruara, duke e lënë barrën financiare të dëmeve kryesisht mbi qytetarët dhe shtetin./ET
