Vera shoqërohet gjithmonë me një shtim të lëvizjes së qytetarëve, të cilët kthehen në atdhe për pushime ose largohen nga vendi për të pushuar jashtë Shqipërisë. Kjo sjell, rrjedhimisht, edhe një shtim të fluksit në zyrat e Identitek, ku qytetarët paraqiten për t’u pajisur me dokumente identifikimi.
Megjithatë, ndryshe nga një vit më parë, është vërejtur se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit nuk presin më të kthehen në atdhe për t’u pajisur me dokumente identifikimi.
“Nuk presin që të vijnë në atdhe për t’u pajisur me pasaporta, por i marrin në vendin ku janë, kjo edhe për shkak të kohës që nevojitet për ta marrë këtë dokument, që është e krahasueshme me kohën që duhet për ta marrë brenda vendit, vetëm 10 ditë. Ne po punojmë edhe me projektin e quajtur ‘Ishujt’, që çojmë ekipin tonë në vende ku nuk ka shërbime konsullore shqiptare”, tha Anagnosti Çepe.
Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, të cilët kanë pamundësi fizike për të shkuar në zyrat ku bëhet aplikimi për dokumente identifikimi, gjatë këtij viti është arritur edhe shërbimi mobile.
Ndërkohë, aplikimi për dokumente identifikimi shqiptare është pothuajse në të njëjtin trend me një vit më parë. Ajo që është rritur ndjeshëm është kërkesa e të huajve për t’u pajisur me lejeqëndrim shqiptare.
“2.5% më shumë aplikime për lejeqëndrim nga të huajt që janë punonjës sezonalë apo persona që duan të jetojnë në Shqipëri”, tha Anagnosti Çepe.
Vetëm gjatë këtij viti, nga janari deri më 24 gusht, në Shqipëri janë pajisur me lejeqëndrim 20.629 persona./mxh
