Shqiptarët janë zyrtarisht populli që punon më shumë në Evropë, por kjo sasi orësh nuk po përkthehet në pasuri, por në një lodhje masive sociale. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, qytetarët e Shqipërisë kalojnë mesatarisht mbi 43 orë në javë në vendin e punës.
Kjo është shifra më e lartë në kontinent, duke lënë pas me një diferencë të thellë mesataren e Bashkimit Evropian, e cila luhatet tek 36 orët në javë. Zgjohen herët, kthehen vonë dhe shpesh, e diela nuk është ditë pushimi.
Por përtej statistikave ekonomike, fatura më e rëndë po paguhet në aspektin social dhe psikologjik. Sociologët dhe ekspertët e shëndetit mendor raportojnë një rritje shqetësuese të asaj që njihet si sindroma e burnout-it, apo djegies profesionale.
Kjo lodhje kronike vjen si pasojë jo vetëm e orarit të zgjatur, por edhe e pasigurisë në punë, presioneve për të mbajtur pozicionin dhe pagave që shpesh nuk mbulojnë kostot bazë të jetesës, duke i detyruar shumë individë të bëjnë dy punë.
Ndikimi në strukturën familjare është i drejtpërdrejtë. Të dhënat nga studimet e ndryshme sociale në vend tregojnë se koha cilësore që prindërit kalojnë me fëmijët është reduktuar në mënyrë drastike.
Rraskapitja fizike dhe mendore i lë individët pa energji për socializim, për aktivitete kulturore apo rekreative. Kjo mungesë e balancës mes jetës dhe punës po krijon një shoqëri më të izoluar, më pak tolerante dhe me një nivel të lartë stresi të përditshëm.
Institucionet ndërkombëtare, si Organizata Ndërkombëtare e Punës, kanë theksuar vazhdimisht se orët e gjata nuk sjellin domosdoshmërisht produktivitet më të lartë, por shtojnë rrezikun e aksidenteve në punë dhe rënies së performancës.
Sfida e vërtetë për shoqërinë tonë nuk është thjesht gjetja e një vendi pune, por ndërtimi i një tregu që respekton kohën dhe mirëqenien e individit. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm kur motori i tij është një shoqëri e stërmunduar.
Nëse nuk ndryshojmë qasje, do të vazhdojmë të thyejmë rekorde evropiane për orët e punës, por duke faturuar kosto të parikuperueshme në shëndetin dhe në familjet tona./ Kb
