Kërcënimi i kontrollit të pakufizuar iranian mbi Ngushticën e Hormuzit po shtyn vendet e Gjirit të rivlerësojnë planet e shtrenjta për tubacione që shmangin këtë pikë kritike, në mënyrë që të vazhdojnë të eksportojnë naftë dhe gaz.
Zyrtarët dhe drejtuesit e industrisë thonë se tubacionet e reja mund të jenë mënyra e vetme për të ulur ndjeshmërinë e vazhdueshme të vendeve të Gjirit ndaj ndërprerjeve në ngushticë, edhe pse këto projekte do të jenë të shtrenjta, politikisht komplekse dhe do të kërkojnë vite për t’u realizuar.
Konflikti aktual ka theksuar vlerën strategjike të tubacionit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite, 1,200 km i gjatë. I ndërtuar në vitet 1980 pas frikës se “lufta e tankerëve” Iran-Irak do të mbyllte ngushticën, ai është tani një arterie jetike, duke dërguar 7 milion fuçi naftë në ditë në portin e Detit të Kuq në Yanbu, duke shmangur plotësisht Hormuzin.
Amin Nasser, shefi ekzekutiv i gjigantit shtetëror të naftës Aramco, i tha analistëve muajin e kaluar se tubacioni është “rruga kryesore që po shfrytëzojmë aktualisht”.
Tani mbretëria po shqyrton mënyrat për të eksportuar më shumë nga 10.2 milion fuçi prodhim ditore përmes tubacioneve, në vend të ujërave të kontrolluara nga Irani. Kjo përfshin vlerësimin nëse duhet të rritet kapaciteti i tubacionit Lindje-Perëndim ose të ndërtohen rrugë të reja.
Planet e mëparshme për tubacione në rajon janë bllokuar shpesh për shkak të kostove të larta dhe kompleksitetit. Por Maisoon Kafafy, këshilltare e lartë për programet e Lindjes së Mesme në Atlantic Council, tha se atmosfera në Gjirin ka ndryshuar.
“Po ndjej një kalim nga hipotetikat në realitetin operacional”, tha ajo. “Të gjithë po shikojnë të njëjtën hartë dhe po nxjerrin të njëjtat përfundime.”
Sipas saj, opsioni më rezistent nuk është një tubacion alternativ i vetëm, por një rrjet, “një web korridorësh”, edhe pse realizimi i tij do të jetë më i vështirë.
Afatgjatë, tubacionet e reja pritet të bëhen pjesë e rrugëve tregtare ku mund të qarkullojnë mallra të ndryshme përtej naftës dhe gazit.
Një mundësi është ringjallja e planeve të udhëhequra nga SHBA për një korridor ambicioz nga India përmes Gjirit drejt Evropës, i quajtur IMEC, tha një zyrtar i Gjirit, edhe pse pjesë e projektit përfshinte më parë një tubacion politikisht i ndërlikuar drejt portit izraelit të Haifës.
Yossi Abu, shefi ekzekutiv i kompanisë izraelite NewMed Energy, tha se ishte i sigurt se tubacionet drejt Detit Mesdhe do të ndërtohen, qoftë duke përfunduar në portet izraelite apo egjiptiane.
“Njerëzit duhet të kontrollojnë fatin e tyre, me miqtë e tyre”, tha ai. “Ju nevojiten tubacione nafte, lidhje hekurudhore, në të gjithë rajonin, në tokë, pa i dhënë të tjerëve nyje për të na bllokuar.”
Christopher Bush, shefi ekzekutiv i Cat Group, kompania private libaneze që ndërtoi tubacionin Lindje-Perëndim, tha se interes për projekte të reja kishte edhe para fillimit të luftës. “Kemi marrë kërkesa për tubacione të ndryshme”, tha ai. “Kam disa prezantime të ndryshme mbi tavolinën time.”
Por pengesat mbeten të mëdha. Sipas Bush, kostoja për të riprodhuar sot tubacionin Lindje-Perëndim, që përfshinte shpimin e malit të vështirë bazaltik Hijaz në bregun e Detit të Kuq, do të ishte të paktën 5 miliardë dollarë. Rrugët më të komplikuara, multi-vendore nga Iraku përmes Jordanisë, Sirisë ose Turqisë, do të kushtonin 15-20 miliardë dollarë.
Ai shtoi se rreziqet e sigurisë përfshijnë “shumë” bomba të pa shpërthyera në Irak dhe prani të vazhdueshme të ISIS-it ose militantëve të tjerë. Tubacionet që shkojnë në jug drejt portove të Omanit do të përballen gjithashtu me vështirësi për të kaluar përmes shkretëtirës dhe maleve të forta.
Portet në Oman nuk janë të mbrojtura nga kërcënimet iraniane. Sulmet me dron ndaj portit kyç të Salalah kohët e fundit detyruan mbylljen e përkohshme.
Sfidat politike përfshijnë gjithashtu se kush do të operojë tubacionin dhe kontrollon rrjedhën. Një rrjet tubacionesh do të kërkonte që vendet e Gjirit “të braktisin politikat individualiste dhe të bashkohen. Gjithmonë është konsideruar më lirë dhe më e sigurt të dërgosh një anije, ta ngarkosh dhe ta lëshosh”, shtoi Bush.
Afatshkurtër, opsionet më të mundshme janë zgjerimi i tubacionit Lindje-Perëndim dhe rruga ekzistuese e Abu Dhabit drejt Fujairah. Kjo do të rrisë kapacitetin pa komplikimet e infrastrukturës ndërkufitare të reja.
Arabia Saudite mund të zhvillojë gjithashtu terminale të reja eksporte në bregun e Detit të Kuq, përfshirë portin e thellë për projektin Neom. “Jam i sigurt se po e shikojnë si një mundësi”, tha Bush. “Ka shumë mendje të zgjuara që po e shqyrtojnë këtë tani. Është një problem i madh.”
Ministria e energjisë e Arabisë Saudite nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Një drejtues i lartë i energjisë tha se Abu Dhabi “ka pasur gjithmonë një plan B për një tubacion të dytë drejt Fujairah”. Por shtoi se vendime nuk priten deri sa të qartësohet statusi afatgjatë i Ngushticës së Hormuzit. Adnoc, kompania shtetërore e naftës e Abu Dhabit, refuzoi të komentojë.
Mbreteria e Bashkuar është duke udhëhequr bisedimet midis 35 vendeve për të formuar një koalicion që të rihapë ngushticën.
Kafafy vuri në dukje se shtetet e Gjirit do t’u duhet kohë për të vlerësuar situatën me këtë rrugë ujore, por tha se tani e kuptojnë që shkalla e krizës aktuale energjetike kërkon një mënyrë të re të të menduarit. “Bisedimet kanë avancuar më tej,” tha ajo. “Nuk pres që status quoja të kthehet në gjendjen para konfliktit.”/mxh
