nga Gina Di Meo
Shtrigat e Ozit janë kthyer dhe janë gati të magjepsin audiencën me një finale që pritet të tejkalojë çdo pritje.
Pas kapitullit të parë të adaptimit filmik të muzikalit Wicked, i publikuar vitin e kaluar, Elphaba Thropp (Cynthia Erivo) dhe Glinda Upland (Ariana Grande) përgatiten të mbyllin ciklin e historive të tyre në Wicked – Part 2 (Wicked: For Good), me një nivel të lartë emocionesh.
Filmi i vitit 2025, që del në kinema më 21 nëntor, shënon rikthimin e regjisorit Jon M. Chu. Përveç dy protagonisteve kryesore, kasti përfshin edhe “Mashkullin më seksi të vitit”, Jonathan Bailey, si Fiyero Tigelaar, Ethan Slater si Boq Woodsman, Michelle Yeoh si Madame Morrible, Jeff Goldblum si Magjistari i Ozit dhe Marissa Bode si Nessarose Thropp.
Që kur iu kundërvu Magjistarit të Ozit, Elphaba është quajtur “Shtriga e Ligë e Perëndimit” nga banorët e Ozit, të cilët besojnë se ajo është e keqe. Ndërkohë, Glinda është bërë një figurë popullore në regjimin e Magjistarit dhe quhet “Glinda e Mira”, ndërsa Fiyero bëhet kapiten i rojes së tij, megjithëse ende dyshon për fajësinë e Elphabës.
Një vazhdim i drejtpërdrejtë i Wicked (2024), filmi – i prodhuar nga Universal Pictures dhe Marc Platt Productions – është adaptimi kinematografik i Aktit II të muzikalit me të njëjtin emër nga Winnie Holzman dhe Stephen Schwartz, bazuar në romanin Wicked: The Life and Times of the Wicked Witch of the West të Gregory Maguire, që në vetvete është një riimagjinim i librit klasik The Wonderful Wizard of Oz të L. Frank Baum.
Nëntitulli në anglisht, “For Good” (“Për mirë”), i referohet këngës së parafundit të muzikalit. Wicked: Part 2 është shfaqur për një audiencë të kufizuar deri tani dhe, duke gjykuar nga reagimet e para – disa e përshkruajnë fundin si mahnitës – filmi duket se do të garojë sërish për Oscar.
Vitin e kaluar, Wicked: Part 1 mori dhjetë nominime, duke fituar për Kostumet më të Mira (Paul Tazewell) dhe Dizajnin më të Mirë të Prodhimit (Nathan Crowley dhe Lee Sandales). Nga katër nominime për Golden Globe, fitoi për Filmin më të Mirë Muzikal dhe për Arkëtimin më të Lartë në Biletari.
Kundrejt një buxheti prej 150 milionë dollarësh, filmi arkëtoi gati 757 milionë dollarë në mbarë botën. Erivo bëri gjithashtu histori si aktorja e dytë me ngjyrë, pas Viola Davis, që mori disa nominime për Aktoren më të Mirë.
Përpara publikimit zyrtar në kinema, Wicked 2 është në qendër të një turi premierash botërore me pjesëmarrjen e aktorëve. Ndalesa e parë ishte në São Paulo, Brazil, por Ariana Grande u detyrua ta anulonte për shkak të një vonese fluturimi.
“Nuk mund ta besoj çfarë po ndodh, jam e shokuar,” shkroi ajo në Instagram. “Ekipi im dhe Universal kanë provuar çdo mënyrë për ta zgjidhur këtë. Ne provuam fluturime të tjera, madje edhe aeroplanë privatë, por asnjë zgjidhje nuk do të na çonte atje në kohë.”
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
