Last Updated on 09/07/2026 by EL
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën e kësaj të enjteje në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi. Trupa gjykuese vendosi që shqyrtimi i çështjes të vijojë më 29 korrik, në orën 10:00.
Gjatë seancës Monika Kryemadhi paraqiti një sërë kundërshtimesh lidhur me procedurat e ndjekura nga organi i akuzës. Ajo pretendoi se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha provat mbi të cilat është ngritur aktakuza, duke theksuar se mungojnë procesverbalet e ekspertimit të telefonit dhe se kjo sipas saj cenon të drejtën për një mbrojtje të plotë dhe të barabartë.
Deputetja deklaroi gjithashtu se disa nga materialet e dorëzuara nuk hapen, ndërsa kërkoi sqarime mbi vendimin që ka autorizuar ekspertimin e telefonit, personat që e kanë kryer atë dhe datën e realizimit të procedurës. Sipas saj, një pjesë e rëndësishme e akuzës mbështetet pikërisht te mesazhet e nxjerra nga ky aparat.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK Sotir Kllapi, sqaroi se të gjitha aktet e ekspertimit dhe procesverbalet e këqyrjes së telefonave janë pjesë e fashikujve të çështjes dhe janë depozituar në gjykatë. Ai shtoi se telefoni është sekuestruar në banesën e Fatime Kryemadhit, ndërsa theksoi se organi i akuzës nuk mund të konfirmojë nëse ai ka qenë në përdorim të Monika Kryemadhit.
Edhe mbrojtja e Kryemadhit kundërshtoi mënyrën e zhvillimit të procedurave hetimore, duke pretenduar se nuk është njoftuar për kryerjen e ekspertimit dhe se ende ka materiale që nuk i janë vënë në dispozicion.
Në deklarimet e saj para gjykatës, Kryemadhi e cilësoi aktakuzën si “seksiste”, duke kundërshtuar mënyrën se si është pasqyruar roli i saj në dosje. Ajo mohoi gjithashtu se ka pasur komunikime me Ilir Metën në lidhje me çështjen e Adrian Shatkut dhe akuzoi SPAK-un për një hetim të njëanshëm, duke ngritur pikëpyetje edhe për faktin se disa persona, sipas saj, nuk janë marrë asnjëherë në pyetje.
Më tej ajo komentoi edhe raportin e saj me ish-bashkëshortin, Ilir Meta, duke theksuar se mes tyre nuk ekziston asnjë bashkëpunim në lidhje me çështjen penale.
“Ilir Meta nuk ka asnjë mesazh, komunikim apo firmë që lidhet me Adrian Shatkun. Ndërkohë, Edi Rama ka dy firma lejesh për Adrian Shatkun. Atëherë, si mund të konsiderohem unë bashkëpunëtore me Ilir Metën dhe jo me Edi Ramën? E vetmja gjë që më lidh sot me Ilir Metën janë tre fëmijët tanë. Përtej kësaj nuk kemi asnjë bashkëpunim. Ilir Meta kishte hallin e Shqipërisë”, u shpreh Kryemadhi gjatë seancës./et
