Një deklaratë e Fatmira Breçanit ka ndezur kuriozitetin për jetën private të Don Xhonit. Këngëtarja e njohur ka ndarë një detaj interesant nga një prej dasmave ku ka performuar, duke treguar edhe reagimin e reperit ndaj një batute të saj.
E ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë”, Breçani foli për momentet e saj që janë bërë virale në rrjetet sociale dhe për mënyrën se si është përshtatur me epokën dixhitale.
Mes historive të shumta, ajo u ndal edhe te videot e famshme me Don Xhonin dhe Butrint Imerin. Këngëtarja tregoi se ka qenë e pranishme në dasmat e vëllezërve të të dy artistëve, ku ata kanë kërcyer nën ritmet e këngëve të saj.
Gjatë performancës, Breçani vendosi t’i ngacmonte me humor për statusin e tyre sentimental. Për Butrintin këndoi:
“O Butrinti i pamartuar, shit shtëpinë dhe merr një grua”, ndërsa për Don Xhonin ndryshoi batutën:
“O Don Xhoni i pamartuar, shit Rolexin.”
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte përgjigjja e reperit.
E pyetur nëse Don Xhoni e kishte marrë seriozisht “porosinë”, Fatmira tregoi se Butrinti e kishte pritur me të qeshur, ndërsa Don Xhoni i ishte përgjigjur: “Shumë shpejt dhe ke me ardhur.”
Deklarata ka mjaftuar për të ndezur menjëherë kuriozitetin: a po përgatitet Don Xhoni për një dasmë? Për momentin, këngëtari nuk ka bërë ndonjë njoftim publik, ndaj mbetet për t’u parë nëse fjalët e tij ishin thjesht një batutë apo një paralajmërim për një lajm të afërt.
Ndërkohë, Fatmira Breçani pranoi se fillimisht nuk e kishte pritur mirë faktin që videot e saj u bënë virale, por më pas shoqet e bindën se ky ishte një zhvillim pozitiv që e afroi edhe më shumë me brezin e ri./MXH
