Dy vjet dëshmi, qindra dëshmitarë dhe një gjykatë që do të vendosë se si do të mbahen mend Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Katërshja, në paraburgim që nga viti 2020, pret verdiktin në Hagë, ndërsa dy vjetët e fundit të dëshmive hodhën dritë mbi rolet dhe përgjegjësinë e saj gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua në fillim të të ’90-ave si një grup gueril që luftonte për të drejtat e shqiptarëve nën regjimin serb të kohës. Gjatë luftës së viteve 1998-1999, ajo u shndërrua në forcën kryesore të rezistencës së armatosur.
Udhëheqësit e saj politikë, përfshirë Hashim Thaçin, dolën në skenën ndërkombëtare në fillim të vitit 1999, kur morën pjesë në negociatat e Rambujesë. Aty UÇK-ja u legjitimua si palë negociuese në procesin që synonte t’i jepte fund luftës dhe të hapte rrugën drejt një zgjidhjeje politike për Kosovën.
Kur vendi shpalli pavarësinë më 2008, Thaçi ishte kryeministër. Tetë vjet më vonë u zgjodh president dhe shërbeu deri më 2020, kur dha dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republkës së Kosovës”, tha Thaçi më 5 nëntor, 2020.
Përvec Thaçit, në Gjykatë u dorëzuan edhe Kadri Veseli, i cili ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës në UÇK, Jakup Krasniqi – zëdhënës, dhe Rexhep Selimi nga shtabi i përgjithshëm.
Aktakuza kundër tyre, e konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe e publikuar më 5 nëntor të atij viti, e ngarkon secilin me akuza për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte, të kryera nga marsi i vitit 1998 deri në shtator, 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, katër burrat ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “ndanin qëllimin e përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën me anë të mjeteve që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, kryerjen e dhunës dhe largimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin kundërshtarë”.
Këta “kundërshtarë” dyshohet se përfshinin pakica etnike – serbë, romë dhe të tjerë – si dhe shqiptarë që nuk e mbështesnin UÇK-në. Së paku 102 persona dyshohet se u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Aktakuza, gjithashtu, i referohet përgjegjësisë superiore të të pandehurve, për shkak të pozitave të larta udhëheqëse brenda UÇK-së, për krimet e kryera nga personat nën kontrollin e tyre dhe anëtarët e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Katërshja mohoi fajësinë, ndërsa gjykimi nisi më 3 prill të vitit 2023.
Në fjalimin e tij hapës në gjyq, prokurori i specializuar në detyrë, Alex Whiting, tha se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.
“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.
Gjatë këtyre dy vjetëve, prokuroria prezantoi qindra dëshmi: 117 me shkrim dhe 125 dëshmitarë që dëshmuan në sallën e gjyqit.
“Prej se ka ardhur, në ’98-ën, i kam parë me sytë e mi punët e tij [Thaçit]… Ka menduar të na shfarosë… Ka menduar të na shfarosë… Nuk kemi kohë, sepse kemi shembuj tjerë të tregojmë… Kam shumë shembuj tjerë. Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, tha Fadil Geci, dëshmitar i prokurorisë, në tetor të vitit 2024.
Mbrojtja e Thaçit nisi paraqitjen e provave më 15 shtator të këtij viti. Ekipi i Krasniqit paralajmëroi dy dëshmitarë në sallë dhe dy dëshmi me shkrim, ndërsa mbrojtjet e Veselit dhe Selimit nuk paraqitën prova.
Dëshmitarët e mbrojtjes – kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të ngjarjeve – filluan me James Rubinin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit amerikan.
Strategji e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë komanduese dhe se Thaçi, shpesh jashtë Kosovës dhe në rol politik, nuk ushtronte autoritet mbi operacionet.
Rubin dëshmoi për tri ditë radhazi, ndërsa në sallë ishin të pranishëm si vëzhgues edhe zyrtarë aktualë të Departamentit amerikan të Shtetit. Rubin dëshmoi se Thaçi “kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratim” dhe se ai ishte “më shumë një fytyrë publike për t’u prezantuar në Perëndim”.
“Hashim Thaçi duhej t’u drejtohej këtyre komandantëve të [UÇK-së] për informacion, njohuri, vendime… Kështu që, unë e kam parë duke treguar respekt ndaj tyre për çështjet përmbajtjesore të UÇK-së”, tha Rubin.
Dëshmia e tij u mbështet nga një sërë personalitetesh që e pasuan atë në bankën e dëshmitarëve – nga Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i Kosovës, deri te Wesley Clark, gjenerali që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve të atëhershme jugosllave në vitin 1999.
“Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ka qenë zëdhënës. Ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal, duke luftuar për një ose dy vjet rresht. Ishte e qartë se ai nuk ishte përgjegjës”, dëshmoi Clark.
Clark ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes, duke e përmbyllur dëshminë e tij më 18 nëntor. Një ditë më vonë, gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, sinjalizoi se mbrojtja mund të kërkojë edhe një dëshmitar shtesë.
Megjithatë, mbrojtja dhe prokuroria ranë dakord që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 30 janar të vitit të ardhshëm, apo 60 ditë pas përfundimit të paraqitjes së provave. Me këtë rast, po ashtu, u tha se deklaratat përmbyllëse nga ana e prokurorisë, mbrojtjes dhe përfaqësuesve të viktimave do të jepen pas dorëzimit të dosjeve finale. m.p.
