Në mes të shkretëtirës siriane, nën një diell përvëlues dhe me temperatura të larta, dhjetëra punëtorë sigurojnë jetesën duke nxjerrë kripë nga puset e kripura të Sabkhat al-Muh, në rajonin e Palmirës.
Sabkhat al-Muh është një liqen i kripur që përmbytet në mënyrë sezonale. Gjatë muajve të thatë, sipërfaqet e tij shfrytëzohen për nxjerrjen e kripës, e cila më pas transportohet drejt zonës industriale të Palmirës.
Çdo vit, nga pranvera deri në ardhjen e reshjeve rreth muajit nëntor, punëtorët dhe familjet e tyre zhvendosen në këtë zonë të thatë. Ata ngrenë çadrat dhe qëndrojnë për muaj të tërë, duke punuar në prodhimin e kripës.
Mes tyre është edhe Hassan Abboush, i cili së bashku me familjen u zhvendos në shkretëtirë në muajin mars. Ai thotë se nuk ka një burim tjetër të ardhurash për të mbajtur familjen.
Puna është sezonale dhe pagesa varet nga sasia e kripës së nxjerrë. Punëtorët fitojnë nga rreth 12 deri në 25 dollarë në ditë.
Nën temperaturat e larta, puna nis herët dhe kërkon përpjekje të mëdha fizike. Kripa mblidhet dhe transportohet për përpunim, ndërsa familjet jetojnë për muaj të tërë në kushte të vështira, në zemër të shkretëtirës.
Sipas drejtorit të rajonit të Palmirës, Saher al-Saghir, zona prodhon rreth 300 mijë tonë kripë në vit.
Aktualisht, rreth 400 hektarë tokë janë të dedikuara për prodhimin e kripës.
Për këta punëtorë, megjithatë, kjo nuk është thjesht një industri. Është një mënyrë mbijetese dhe një nga të paktat mundësi për të siguruar të ardhura në një prej zonave më të thata dhe të vështira të Sirisë./mxh
