Siria është bashkuar zyrtarisht me koalicionin global anti-ISIS, por pa përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Ministri sirian i Drejtësisë, Muzhar al-Weis, ka sqaruar pozicionin e Damaskut ndaj koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, duke theksuar se pjesëmarrja e Sirisë është e kufizuar dhe nuk përfshin asnjë formë angazhimi ushtarak.
Në një deklaratë zyrtare, al-Weis tha se bashkëpunimi me koalicionin kufizohet vetëm në koordinim të inteligjencës dhe sigurisë, duke nënvizuar se ky bashkëpunim “nuk përbën një aleancë ushtarake, por një masë praktike përballë kërcënimit të përbashkët që përfaqëson ISIS”.
Sipas tij, ky hap synon të forcojë sovranitetin e shtetit sirian, jo ta cenojë atë.
“Siria ka luftuar kundër ISIS-it që në fillim dhe vazhdon ta bëjë këtë në mënyrë të pavarur. Ky është një detyrim kombëtar dhe ligjor ndaj qytetarëve tanë”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se lufta kundër terrorizmit është edhe një mënyrë për të reduktuar rrezikun e ndërhyrjeve të huaja në territorin sirian, duke theksuar se qeveria e re zotëron “sovranitet të plotë mbi gjithë territorin e vendit” dhe mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e popullit.
Deklarata e ministrit vjen në një moment kur Damasku po përpiqet të riafirmojë rolin e tij në luftën kundër terrorizmit, ndërsa kërkon një ripozicionim diplomatik në arenën ndërkombëtare pas viteve të izolimit.
Gjithçka është diskutuar edhe në tryezën mes presidentit amerikan, Donald Trump, si edhe atij tranzitor sirian, Ahmad al-Sharaa, në Washington.
