Një 51-vjeçar shqiptar ka përfunduar përpara drejtësisë në Belgjikë, pasi dyshohet se tentoi të mashtronte gjatë provimit teorik për marrjen e patentës së drejtimit. Ngjarja është regjistruar në qendrën e provimeve në Geel, ku burri nga Tongereni u kap në flagrancë nga një përgjegjës i qendrës, pasi kishte përdorur pajisje dëgjimi të fshehura gjatë testimit.
Sipas mediave belge, shqiptari u paraqit të hënën përpara Gjykatës Penale në Turnhout, ku u përball me akuzën e tentativës për mashtrim gjatë provimit.
Prokurorja Veerle Van Gorp bëri të ditur se 51-vjeçari kishte vendosur fillimisht një pajisje të vogël në vesh dhe më pas kishte përdorur edhe kufje të mëdha. Ai iu përgjigj saktë pothuajse të gjitha pyetjeve, por u zbulua kur, pas heqjes së kufjeve të mëdha, tentoi të fshihte pajisjen e vogël që kishte në vesh.
Para autoriteteve, ai pretendoi se kufjet i përkisnin vajzës së tij dhe se i përdorte për të komunikuar me kolegët. Edhe në sallën e gjyqit, 51-vjeçari mohoi të kishte pasur qëllim të mashtronte.
Avokati i tij argumentoi se klienti përdorte shpesh kufje për të komunikuar në telefon pa pasur nevojë të mbante celularin në dorë dhe se gjatë provimit priste një telefonatë nga një koleg.
Nga ana tjetër, prokuroria kërkoi që shqiptari të dënohej me punë në shërbim të komunitetit, ndërsa mbrojtja kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm.
I pyetur nga gjyqtari se përse kishte udhëtuar nga Tongereni drejt Geel për të dhënë provimin, ai u përgjigj se atë ditë vetëm në këtë qendër kishte gjetur një vend të lirë.
Mashtrimi me kufje dhe kamera, një fenomen shqetësues në Belgjikë
Rasti i shqiptarit nuk është i vetmi i këtij lloji në Belgjikë. Sipas gazetës belge “Nieuwsblad”, gjatë vitit 2022 në qendrat flamande të provimeve u zbuluan 186 tentativa mashtrimi, ndërsa deri në mesin e nëntorit 2023 ishin evidentuar 163 raste të tjera.
Një prej metodave më të përdorura është pikërisht ajo e pajisjeve të fshehura të dëgjimit dhe kamerave të vogla, përmes të cilave kandidatët marrin përgjigjet nga persona që ndodhen jashtë qendrave të testimit.
Për shkak të shtimit të këtyre rasteve, autoritetet belge kanë forcuar kontrollet në qendrat e provimeve. Kandidatët që kapen duke mashtruar rrezikojnë jo vetëm ndjekjen penale, por edhe përjashtimin për një vit nga e drejta për t’u paraqitur sërish në provimin teorik.
Në rastin e 51-vjeçarit shqiptar, gjykata pritet të shpallë vendimin më 21 dhjetor./mxh
