Një vit pas rrëzimit historik të Bashar al-Assad, Siria po përballet me një realitet të dyfishtë, liri e fituar pas 14 vitesh lufte, por drejtësi ende e paarritur për mijëra viktima. The Guardian sjell historinë e një vendi që ka hyrë në epokë të re politike, ndërsa plagët e së kaluarës vijojnë të thellohen.
Regjimi 53-vjeçar i familjes Assad u rrëzua pas një ofensivë 11-ditore nga trupat rebele që tronditi botën.
Presidenti i ri, Ahmad al-Sharaa, mbajti një fjalim në xhaminë Umayyad dhe premtoi rindërtim, drejtësi dhe një Siri të fortë për të gjitha komunitetet. Edhe pse kryeqyteti u mbush me njerëz në përvjetorin e parë të çlirimit, në sfond shfaqen dilema të thella për drejtësinë dhe sigurinë. Shumë sirianë, thonë se i dinë autorët e masakrave, por mungojnë provat për t’i çuar në gjyq.
Një vit pas rënies së regjimit, Siria është rintegruar shpejt në arenën globale, e udhëhequr nga diplomacia e presidentit Sharaa, ish-udheheqës xhihadist i kthyer në politikan. Ai ka krijuar marredhënie me presidentin amerikan, Donald Trump, ka lehtësuar sanksionet amerikane dhe ka rikthyer Sirine në konferencat ndërkombëtare. Ky transformim ka sjellë krenari për shumë sirianë.
Por brenda vendit, drejtësia tranzitore ështw e ngadaltë dhe ka shkaktuar përshkallëzim dhune. Masakrat ndaj civilëve alavitë në mars dhe ndaj komunitetit druzë në korrik kanë rritur frikën dhe ndarjet etnike.
Në provincën Sweida, ku druzët kërkojnë autonomi, situata mbetet e tensionuar. Qytetarët janë armatosur dhe refuzojnë të dalin nga zona.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare dhe për të shëruar ndarjet e thella. Ai theksoi nevojën për një Siri ku çdo qytetar të jetojë me siguri dhe barazi. Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përsëriti mbështetjen e bllokut për Sirinë./mxh
