Last Updated on 11/08/2026 by EL
Për herë të parë pas 20 vitesh, duke filluar që nga 3 shtatori, në tavolinat e shqiptarëve dhe në frigoriferët e marketeve nuk do të ketë më mish Brazili. Ndërprerja e kësaj marrëdhënie tregëtare vjen pas një vendimi të marrë nga BE-ja, për furnizimin me produkte shtazore nga Brazili. Në një vendim unanim ekspertë të shteteve anëtare të Unionit, arritën në këtë përfundim për shkak të përdorimit të medikamenteve veterinare të cilat rrisin masën muskulare të kafshëve.
Sipas Top Channel, Ministria e Bujqësisë ka përcjellë një shkresë përmes së cilës udhëzon Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, se si duhet të veprojë me tregëtarët që sjellin në vendin tinë mishin nga Brazili. Si dhe i lë detyrë AKU-së që të njoftojë bizneset në lidhje me ndërprerjen tregëtare mes Shqipërisë dhe Brazilit.
“Në këto kushte, për sa kohë që Urdhri i Ministrit I.2006 e kushtëzon importimin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e sjella me Rregulloren Zbatuese të Komisionit 2026 reflektohen drejtpërdrejt në zbatimin e këtij urdhri. Për sa më lart, AKU të marrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e operatorëve të biznesit që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili mbi ndryshimet e mësipërme, zbatimi i të cilave fillon nga data 3 shtator 2026”, thuhet ndër të tjera në shkresën e Ministrisë së Bujqësisë.
Kujtojmë se që prej vitit 2006 deri më tani, Brazili ka qenë furnizuesi kryesor me mish viçi,lope, derri e pule, mish ky i cili ishte edhe burimi kryesor për industrinë e përpunimit të tij. Sipas të dhënave të ËITS të Bankës Botërore, vetëm në vitin 2024 Shqipëria importoi nga Brazili 28.5 milionë dollarë mish dhe të brendshme, nga të cilat 10.1 milionë dollarë ishin mish dhe të kategorisë së shpendëve./et
