Futbolli turk po përballet me një nga krizat më të mëdha të viteve të fundit, pas një hetimi të gjerë mbi baste të paligjshme që ka përfshirë lojtarë dhe gjyqtarë në disa nivele të kampionatit. Federata Turke e Futbollit ka njoftuar pezullimin e mbi 1,000 lojtarëve, të cilët janë referuar në komisionin disiplinor për dyshime për përfshirje në aktivitete të ndaluara nga rregullat e FIFA-s.
Mes të pezulluarve ndodhet edhe Eren Elmali, mbrojtësi 25-vjeçar i Galatasaray dhe pjesë e kombëtares turke, i cili ishte titullar në ndeshjet e skuadrës në Champions League këtë sezon. Në një deklaratë publike, Elmali pranoi se kishte bërë një bast rreth pesë vite më parë në një ndeshje që nuk lidhej me ekipin e tij. Për shkak të kësaj, ai u përjashtua nga grumbullimi i kombëtares për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Spanjës dhe Bullgarisë.
Një tjetër futbollist i Galatasaray, Metehan Baltaci, është gjithashtu pjesë e listës së 1,024 lojtarëve të përfshirë në hetim. Për të lehtësuar procesin e hetimeve, Federata Turke ka vendosur pezullimin e ndeshjeve të kategorive të tretë dhe të katërt për dy javë, ndërsa Superliga dhe kategoria e dytë do të vazhdojnë sipas kalendarit për të shmangur ndërprerjen e kampionatit./ MXH
