Thomas Wright – The Atlantic
Largimi i papritur i Jensen Huang nga Nvidia, pas zbulimeve për një lidhje jashtëmartesore me një grua, Alice Huang, të cilën zyrtarët e inteligjencës amerikane e konsiderojnë si një person të lidhur me shërbimet e inteligjencës kineze, duhet të detyrojë një rishikim rrënjësor të strategjisë së Shteteve të Bashkuara për inteligjencën artificiale.
Jensen Huang nuk ishte thjesht drejtori ekzekutiv i kompanisë më të rëndësishme në botë për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Ai ishte gjithashtu një nga këshilltarët më të afërt dhe më me ndikim të Donald Trump për çështjet e inteligjencës artificiale. Huang e bindi Trump të hiqte dorë nga mbështetja fillestare për kontrollet e eksporteve, duke argumentuar se kompanitë amerikane të teknologjisë duhet të konkurrojnë në Kinë.
Ai këmbënguli vazhdimisht se inteligjenca artificiale është më shumë e ngjashme me energjinë elektrike sesa me një armë dhe se paralajmërimet për sigurinë e saj ishin jashtëzakonisht të ekzagjeruara. Ky ishte një qëndrim që Trump e përvetësoi plotësisht.
Në muajt e ardhshëm, Kongresi do të shqyrtojë çdo aspekt të këtij skandali.
Mes tyre janë pezullimi nga Departamenti i Tregtisë i hetimit ndaj Megaspeed, kompanisë nga Singapori ku Alice Huang ishte anëtare e bordit drejtues; dështimi për të goditur rrjetin e gjerë të kontrabandës së çipave të Kinës në Azinë Juglindore; kontributet financiare të Nvidia-s për projektet e preferuara të Trump, si salla e ballove në Shtëpinë e Bardhë; si dhe ndikimi i mundshëm i paligjshëm i Kinës mbi drejtues të tjerë biznesesh në Amerikë.
Skandali vjen në një moment pakënaqësie dhe shqetësimi të thellë në nivel kombëtar për inteligjencën artificiale dhe ka gjasa të përforcojë shqetësimet e publikut se kompanive që zhvillojnë këtë teknologji u është dhënë shumë ndikim në mënyrën se si ajo rregullohet.
Në zgjedhjet e fundit të mesmandatit, kandidatët që premtuan kufizime për ndërtimin e qendrave të të dhënave arritën rezultate të konsiderueshme.
Dario Amodei dhe Sam Altman, drejtuesit e Anthropic dhe OpenAI, kanë paralajmëruar se modelet e reja mund të sjellin rreziqe të jashtëzakonshme dhe kanë sugjeruar që kompanitë duhet të ecin me kujdes në zhvillimin e teknologjisë më të avancuar.
Vështirë të kalojë një javë pa lajme për sulme kibernetike të paprecedenta, disa prej të cilave mundësohen nga inteligjenca artificiale.
Për shembull, në korrik, agjentë autonomë që po i nënshtroheshin testeve të sigurisë në OpenAI dolën jashtë mjedisit të tyre të izoluar dhe depërtuan në sistemet e Hugging Face, një tjetër kompani e inteligjencës artificiale.
Dilema e Amerikës është kjo: Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë përpara Kinës, por njëkohësisht duhet ta marrin seriozisht sigurinë. Zgjidhja nuk është përshpejtimi i zhvillimit apo arritja e një marrëveshjeje të madhe me Pekinin, por forcimi i kontrolleve të eksporteve.
Kontrollet më të rrepta do të ndihmojnë në ruajtjen e epërsisë amerikane, duke krijuar hapësirën e nevojshme për të ngadalësuar zhvillimin dhe për të garantuar që modelet e reja t’u nënshtrohen testeve rigoroze përpara se të hidhen në përdorim.
Fitorja në garën me Kinën është kthyer në një justifikim universal për drejtuesit e kompanive, të cilët e përdorin atë për të çuar përpara interesat e bizneseve të tyre dhe për të kundërshtuar çdo thirrje për rregullim të aktivitetit të tyre. Edhe politikanët kanë rënë në këtë kurth.
Në shtator, senatori Ted Cruz i tha Politico: “Nëse do të kemi robotë vrasës, do të preferoja të ishin robotë vrasës amerikanë dhe jo kinezë”.
Gjeopolitika nuk është një justifikim bindës për të ndërmarrë veprime irracionale. Por po aq i gabuar është edhe pretendimi i Huang se nuk ka shumë rëndësi se kush e fiton garën.
Në prill, Anthropic njoftoi se kishte zhvilluar një model të quajtur Mythos, i cili u jepte përdoruesve aftësi jashtëzakonisht të avancuara për sulme kibernetike.
Në vend që ta publikonte Mythos për të gjithë, Anthropic bashkëpunoi me administratën Trump për të krijuar Projektin Glasswing. Përmes tij, kompanitë kryesore amerikane patën akses në këtë model për qëllime të mbrojtjes kibernetike, në mënyrë që të identifikonin dhe të mbyllnin sa më shpejt dobësitë në sistemet e tyre.
Nëse Kina apo ndonjë shtet tjetër do të kishte zhvilluar i pari aftësi të ngjashme me Mythos, nuk ka shumë gjasa që ta kishte ndarë modelin me kompanitë amerikane, të cilat do të mbeteshin të ekspozuara ndaj sulmeve.
Disa senatorë kanë propozuar një zgjidhje joshëse: Shtetet e Bashkuara duhet të negociojnë me Kinën një marrëveshje gjithëpërfshirëse për kontrollin e armëve, me qëllim pezullimin ose ngadalësimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Altman ka deklaruar se një marrëveshje e tillë do të ishte e lehtë për t’u arritur mes Trump dhe Xi Jinping. Por kjo është një fantazi. Verifikimi i zbatimit të saj do të ishte jashtëzakonisht i vështirë. Kina ka të ngjarë ta shihte përpjekjen për arritjen e një marrëveshjeje të tillë si një përpjekje të SHBA-së për të ruajtur epërsinë e saj.
Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Ministrisë së Sigurisë Shtetërore, shërbimit inteligjent të Kinës, e bëri të qartë se Pekini e sheh konkurrencën me Shtetet e Bashkuara në fushën e inteligjencës artificiale si një përballje mes kundërshtarësh. Kjo nuk i përjashton bisedimet dhe veprimet e koordinuara për të trajtuar rreziqe të caktuara të sigurisë, por tregon se një marrëveshje gjithëpërfshirëse është shumë pak e mundshme.
Marrja seriozisht e sigurisë është e pamundur nëse kompanitë që zhvillojnë inteligjencën artificiale vazhdojnë me ritmin maksimal. Modelet janë pranë aftësisë për të përmirësuar veten, një kapacitet që mund të përshpejtojë ndjeshëm përparimin teknologjik përtej mundësive të njerëzve për ta vlerësuar dhe kontrolluar atë.
Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë kontrollet e eksporteve dhe të përqendrohen më shumë te siguria, duke shfrytëzuar avantazhin kohor që kanë ndaj Kinës.
Megjithëse Kina po punon intensivisht për të zhvilluar kapacitetet e saj të prodhimit të çipave, ajo vijon të përballet me vështirësi. Në qershor të vitit 2025, sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dëshmoi para Kongresit se Kina prodhon vetëm rreth 200 mijë çipa të avancuar në vit, një shifër shumë e vogël krahasuar me nevojat e saj.
Çipat janë avantazhi kryesor që Shtetet e Bashkuara kanë ndaj Kinës dhe Uashingtoni duhet ta shfrytëzojë këtë epërsi.
Një pjesë e madhe e përparimit të Kinës duket se është mbështetur në aksesin ndaj modeleve amerikane të inteligjencës artificiale. Kompanitë kineze kanë përdorur një teknikë të quajtur distilim, përmes së cilës një model me më pak aftësi trajnohet nga një model më i fuqishëm, duke i mundësuar të kopjojë me shpejtësi disa prej kapaciteteve të tij.
Në shkurt, Anthropic zbuloi se DeepSeek, Moonshot dhe MiniMax kishin gjeneruar më shumë se 16 milionë shkëmbime me Claude, përmes rreth 24 mijë llogarive mashtruese, me qëllim përvetësimin e aftësive të tij.
Më vonë, kompania zbuloi një operacion edhe më të madh nga Alibaba, që përfshinte mbi 150 milionë shkëmbime, të projektuara për të përmirësuar modelet e saj Qwen.
Në shtator, FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) paralajmëruan se laboratorët kinezë po përdornin distilimin në shkallë të gjerë për të përvetësuar aftësitë amerikane të inteligjencës artificiale, me një kosto shumë më të ulët sesa zhvillimi i tyre në mënyrë të pavarur.
Siç e dimë tashmë nga skandali i Nvidia-s, edhe spiunazhi ka të ngjarë të ketë luajtur një rol. Huang dinte më shumë se çdo individ tjetër se kush po përfitonte akses në çipat e avancuar. Aksesi në këtë informacion mund të kishte një vlerë të jashtëzakonshme për një aktor të huaj.
Edhe laboratorët e inteligjencës artificiale janë shumë të ekspozuar ndaj spiunazhit. Muajin e kaluar, prokurorët federalë ngritën akuza ndaj një shtetasi saudit, të punësuar në OpenAI, për instalimin e një pajisjeje të fshehtë regjistrimi audio.
Asetet më të rëndësishme të laboratorëve janë të ashtuquajturat model weights, pra parametrat matematikorë që kodojnë atë që modelet kanë mësuar. Nëse një shërbim i huaj inteligjence arrin t’i vjedhë këta parametra, ai mund të përvetësojë aftësi për të cilat laboratorët kanë shpenzuar vite të tëra duke i zhvilluar.
Qeveria amerikane duhet të rrisë ndjeshëm bashkëpunimin kundërzbulues me laboratorët dhe kompanitë e tjera që zhvillojnë veprimtari të lidhura me sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Garantimi i sigurisë së duhur të modeleve të reja të inteligjencës artificiale varet nga ngadalësimi i garës, jo vetëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, por edhe mes vetë laboratorëve amerikanë.
Inxhinierët dhe ekspertët e inteligjencës artificiale kanë diskutuar mënyrat se si mund të arrihet kjo. Një nga idetë kryesore është që laboratorëve t’u kërkohet të rishpërndajnë kapacitetet e tyre kompjuterike, duke i kushtuar shumë më pak burime kërkimit dhe zhvillimit dhe shumë më tepër shërbimit ndaj klientëve dhe sigurisë.
Kjo do të ngadalësonte ritmin e zhvillimit, por mund të realizohej në mënyrë të tillë që Shtetet e Bashkuara të ruanin epërsinë ndaj Kinës dhe kompanitë e inteligjencës artificiale të vazhdonin të ishin fitimprurëse.
Presidenti Trump ka kaluar pjesën më të madhe të dy viteve të fundit duke ushtruar presion dhe duke sulmuar disa prej aleatëve më të afërt dhe më të vjetër të Amerikës. Qëndrimi i tij nuk ka krijuar aspak besim te mënyra se si Uashingtoni po e menaxhon inteligjencën artificiale.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara në grupimin Five Eyes (Australi, Kanada, Zelandë e Re dhe Mbretëria e Bashkuar) u detyruan të prisnin muaj të tërë përpara se të merrnin akses në Mythos, me qëllim përmirësimin e mbrojtjes së tyre kibernetike në sektorin privat.
Këta dhe aleatë të tjerë tradicionalë me siguri do të shqetësohen nga mundësia që një president amerikan të përdorë inteligjencën artificiale të fuqishme kundër tyre.
Trump nuk ka gjasa t’i zbusë këto frikë, por Kongresi i ri mund të nisë krijimin e themeleve për një aleancë të re në fushën e inteligjencës artificiale. Kjo aleancë do të përcaktonte kriteret për aksesin në çipa, infrastrukturën kompjuterike dhe modelet më të avancuara, si dhe do të propozonte kufizime dhe garanci për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara do ta përdorin inteligjencën artificiale të fuqishme.
Një nga mësimet e skandalit të Jensen Huang është se politikëbërësit u kanë dhënë ndikim të jashtëzakonshëm drejtuesve të kompanive të teknologjisë, interesat tregtare të të cilëve nuk përputheshin gjithmonë me interesat amerikane.
Largimi i tij ofron një mundësi të rrallë për të rishqyrtuar supozimet që kanë udhëhequr strategjinë e inteligjencës artificiale gjatë dy viteve të fundit, për t’iu përgjigjur shqetësimeve në rritje për këtë teknologji dhe për të vendosur një qasje të re, e cila mbron njëkohësisht epërsinë amerikane në fushën e inteligjencës artificiale dhe sigurinë publike./ad
