Kandidati konservator Flavio Bolsonaro kryeson me 51% të mbështetjes së votuesve, kundrejt 49% për presidentin në largim, Luiz Inácio Lula da Silva, sipas dy sondazheve të publikuara të shtunën, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil.
Përballja mes liderit të së majtës, i cili synon një mandat të katërt jo të njëpasnjëshëm në krye të shtetit, dhe djalit të madh të ish-presidentit Jair Bolsonaro pritet të përcaktojë drejtimin politik të vendit për vitet e ardhshme.
Në raundin e parë, të zhvilluar tre javë më parë, Flavio Bolsonaro arriti të siguronte 47% të votave, ndërsa Lula da Silva mori 45%, duke tejkaluar parashikimet e disa sondazheve.
Megjithatë, diferenca prej dy pikësh përqindjeje e raportuar në sondazhet e fundit, të realizuara nga Datafolha dhe Quaest, mbetet brenda kufirit të gabimit statistikor. Kjo do të thotë se gara mes dy kandidatëve vijon të jetë e ngushtë dhe rezultatet përfundimtare mbeten të pasigurta.
Sondazhi i mëparshëm i Datafolha-s, i publikuar të enjten, i paraqiste të dy kandidatët në kuotën e 50% të mbështetjes.
Ndërkohë, nuk është e qartë nëse sondazhi i fundit i Datafolha-s përfshiu edhe reagimet e votuesve pas debatit televiziv mes dy rivalëve, i zhvilluar të premten.
Me diferencën mes kandidatëve brenda marzhit të gabimit, votimi dhe numërimi i fletëve të votimit pritet të përcaktojnë se kush do të marrë drejtimin e Brazilit./ad
