Last Updated on 13/04/2026 by EL
Pasditen e kësaj të hëne u çel në mënyrë solemne edicioni i katërt i Samitit të Diasporës, një ngjarje e rëndësishme që për tre ditë me radhë e kthen Shqipërinë në një pikëtakim të personaliteteve nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti. Deri më 15 prill, kryeqyteti do të mirëpresë shqiptarë nga e gjithë bota, me synimin për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin mes diasporës dhe vendit amë.
Ceremonia hapëse, me moton “Diaspora rikthehet në shtëpi”, u zhvillua në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke mbledhur figura të njohura dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës publike. Në këtë kuadër, presidenti Bajram Begaj, nderoi disa personalitete të shquara të diasporës shqiptare për kontributin e tyre të vyer.
Ndër të dekoruarit ishte edhe Gentian Toshkezi, i cili u vlerësua me titullin e lartë “Urdhëri Suprem i Shqiponjës”. Po ashtu, Lorik Cana u nderua me titullin “Kalorës në Urdhrin e Skënderbeut”, ndërsa Klarita Gërxhani u dekorua me “Urdhrin e Lisit Akademik”.
Gjatë fjalës së tij, Gentian Toshkezi shprehu mirënjohjen për vlerësimin e akorduar nga presidenti Bajram Begaj, duke theksuar se rrugëtimi i tij në emigracion ka qenë i ndërtuar mbi përpjekje të vazhdueshme për të krijuar diçka me vlerë. Ai vuri në dukje se ky vlerësim i rikujtoi se distanca fizike nuk e zbeh përkatësinë ndaj atdheut dhe se kontributi i dhënë jashtë vendit gjen jehonë edhe në Shqipëri, duke forcuar lidhjen shpirtërore me rrënjët.
“Prej vitesh punoj dhe jetoj aty. Në fillime u përpoqa të ndërtoj diçka me vlerë. Sot ju falenderoj që më kujtuan se largësia dhe distanca nuk e zvogëlon përkatësinë me vendim tim. Më kujtuat ë dhe kontributi në një vend tjetër ka jehonë dhe në vendin tim”, tha ai./et
