Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se shpreson që marrëveshja kornizë, e arritur mes SHBA-së dhe Iranit, të rikthejë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit në botë, raportoi BBC.
Që nga fundi i shkurtit, trafiku në këtë ngushticë strategjike është pothuajse ndalur, duke lënë mijëra detarë të bllokuar në Gjirin Persik.
Rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz, zakonisht kalon përmes kësaj rruge jetike.
Sipas raportimeve, ushtria amerikane ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane, që nga prilli, ndërsa javën e kaluar, ka sulmuar tre anije në ngushticë, duke shkaktuar vdekjen e tre detarëve indianë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se, që nga 13 prilli ka nxjerrë jashtë funksionit nëntë anije dhe ka devijuar 142 të tjera.
Ndërkohë, ende mbeten mospajtime mbi kushtet dhe afatet e hapjes së ngushticës pas marrëveshjes.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi në platformën “Truth Social” se marrëveshja është “e përfunduar” dhe se ngushtica do të rihapet pas nënshkrimit të saj të premten, në Zvicër.
Nga ana tjetër, agjencia gjysmëzyrtare iraniane, “Mehr News” ka raportuar mbi një draft-marrëveshje 14-pikëshe mes SHBA-së dhe Iranit, e cila parashikon rihapjen e ngushticës brenda 30 ditësh, sipas rregullimeve iraniane.
Starmer e ka cilësuar marrëveshjen si një moment “shumë domethënës”, duke theksuar se shmangia e përshkallëzimit të konfliktit, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ai shtoi se marrëveshja mund të ndihmojë në lehtësimin e presioneve ekonomike globale dhe se Britania e Madhe do të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar zbatimin e saj dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme në rajon./mxh
